Gazeta Si – Një i burgosur është gjetur i vetëvarur me rrobat e tij gjatë natës së shkuar në bllokun e sigurisë në Tiranë.
Sipas policisë, Donald Greku 46 vjeç, i arrestuar për vjedhje nga komisariati numër 3 në Tiranë për vjedhje, është gjetur i vetëvarur me tuta rreth orës 01:20 të mëngjesit.
Punonjësi i policisë ka konstatuar të ndaluarin të varur në rrjetën e dritares së dhomës dhe ka ndërhyrë menjëherë duke kërkuar ndihmë nga punonjësit e tjerë.
Në përpjekje për ta mbajtur të ndaluarin të ngritur, njëri nga punonjësit ka prerë rrobën me të cilën ishte vetëvarur dhe është njoftuar menjëherë urgjenca. Shërbimi mjekësor ka mbërritur në vend, ku ka konstatuar se i ndaluari kishte ndërruar jetë.
Rreth orës 00:50, punonjësi i shërbimit ka kryer kontroll rutinë dhe i ndaluari nuk ka shfaqur probleme apo shqetësime.
46-vjeçari nga Berati i cili jetonte në Tiranë, kishte deklaruar se ishte përdorues i lëndëve narkotike dhe pas vizitës në shërbimin e toksikologjisë, mjekët nuk kishin përcaktuar dozë metadoni, pasi dhe nga kontakti me qendrën “Aksion Plus”, është konfirmuar se ai nuk figuronte i regjistruar si përdorues metadoni.
Në rekomandimin mjekësor të lëshuar nga mjeku i bllokut të sigurisë, ishte vendosur qetësuesi Xanax, i cili i është dhënë të ndaluarit sipas këtij rekomandimi.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.