Drejtësia

I mungonte zemra, pasi kishte vdekur në spital: Pritet vendimi i Gjykatës së Lartë në Spanjë për Saimir Sulën

Gazeta Si – Prokuroria shqiptare dhe ajo spanjolle kanë nisur shkëmbimin e informacioneve mes tyre për rastin e 31-vjeçarit Saimir Sula, i cili u kthye pa zemër nga Spanja, ku ndërroi jetë para më shumë se dy vitesh në një spital në Barcelonë.

Për shkak se autoritetet spanjolle kanë nisur hetimin e rastit pas hapjes së çështjes atje nga familjarët e të ndjerit, si dhe në kushtet kur shqyrtimi i saj aktualisht është në Gjykatën e Lartë, pritet marrja e vendimit nga ana e kësaj gjykate dhe më pas do të procedohet me dërgimin e zemrës në Shqipëri dhe verifikimin e ADN-së.

Ndërkohë raportohet se kryerja e testit të ADN-së së zemrës do të vendoset nga gjykata spanjolle, e cila aktualisht e ka në shqyrtim.

Në çdo moment në përfundim të proceseve në Spanjë, zemra do të dërgohet në Shqipëri.

Prokuroria bën me dije se në takimin e dy ditëve më parë (8 shkurt 2023) u diskutuan çështjet të lidhura me hetimin si ecuria e ekzekutimit të letërporosisë së dytë të Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë dërguar në Prill 2022.

Ka qenë motra e të ndjerit ajo që dyshoi dhe zbuloi se vëllait të saj i mungonte zemra, pasi kishte ndërruar jetë në spital.

Më 9 tetor Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë ka regjistruar procedimin penal për veprën penale “Shitblerja e paligjshme e organeve”.

Nga deklarimet e familjarëve, mësohet se Saimir Sula ka qenë i shtruar në spitalin ‘Hospital Del Mar’ në Barcelonë, Spanjë ku edhe ka ndërruar jetë. Sula kishte shkuar në spital pas dyshimeve për COVID-19, por megjithëse kishte rezultuar negativ e kishin shtruar, ndërkohë që thuhet se kishte qenë dhe përdorues i lëndëve narkotike.

Në dosje sqarohet se Saimiri vuante nga probleme mendore pasi kishte halucinacione dhe një mjeke psikiatre i shkonte një ditë po dhe një ditë jo në shtëpi.

Ndërkohë nga këqyrja e brendshme e organeve dhe të dhënave mikroskopi nga mjeko-ligjorët është konstatuar bronkopneumoni sero-deskuamative, aderanca pelurale në anën e djathtë të gjoksit, hepatit kronik persistent, autolizë e organeve, mungesë e zemrës.

Mjeko-ligjorët shprehen se “në mungesë të ekzaminimit të zemrës, i cili është një organ jetik dhe i rëndësishëm nuk mund të përcaktojmë shkakun e vdekjes së viktimës me saktësi shkencore”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë