Ngjarje

‘I kthjellët dhe i pashqetësuar’, pas vrasjes së Ilarias ish-i dashuri drekoi me mikeshën e shqiptares

Gazeta Si – “Ajo që bie në sy te Mark Samson, është qëndrimi i tij i vetëkontrollit të fortë dhe i qartë, veçanërisht në fazën pas vrasjes së Ilarias. Edhe pse disa herë kishte thënë se nuk mund të jetonte pa Ilarian dhe nuk mund ta imagjinonte një jetë pa të, pasi e vrau brutalisht dhe hoqi trupin e vajzës, arriti të kthehej në normalitet menjëherë”.

Kjo është një nga pjesët e vendimit që vërteton arrestimin e Mark Antony Samson, i motivuar nga gjykatësja Antonella Minunni me rrezikun e arratisjes, përsëritjes së krimit dhe ndërhyrjes në prova. Të gjitha këto raste mbështeten nga qëndrimi i 23-vjeçarit, i cili ka rrëfyer vrasjen e Ilaria Sulës.

Nga njëra anë përpiqet të shfajësohet, duke folur për një “akt zemërimi dhe xhelozie”, shpik arsye në ankthin e tij për të performuar për notat universitare, nga ana tjetër shfaqet i ftohtë dhe i llogaritur duke ngatërruar ujërat për të tentuar të shpëtojë veten.

Sikur të mos kishte ndodhur asgjë, thuhet në dojen hetimore të prokurorisë, Samson “takon shoqen e saj, me të cilën ha një fokaçe, duke folur për problemet që kishte me Ilarian (të cilën e kishte vrarë pak më parë) dhe në të njëjtën kohë diskuton për çështje sipërfaqësore dhe banale për ditëlindjen e të dashurit të shoqes, apo brioshët e blerë për një vajzë fantazmë). Ai nuk ka asnjë shqetësim, – nënvizon në dosje gjyqtari hetues, – t’i dërgojë babait të vajzës, edhe pse e di që e ka vrarë, mesazhe që vijnë në mënyrë fiktive nga e bija. Të njëjtën gjë bën edhe me shoqet e saj, duke u shtirur si Ilaria, duke i bërë të besojnë se shoqja e tyre ishte ende gjallë. Ajo që bie në sy, është se ai i bën të gjitha këto që në fillim”.

Gjatë marrjes në pyetje, 23-vjeçari nga Filipinet ka rrëfyer për nisjen e lidhjes, e cila ndryshoi kur Ilaria i kishte kërkuar listën e notave.

“Ne jemi takuar në vitin 2023 dhe më 30 prill të atij viti konfirmuam lidhjen tonë. Ne kishim një marrëdhënie normale si çdo çift me ulje-ngritjet tona. Situata ndryshoi kur Ilaria më kërkoi të shihte notat e provimit të universitetit rreth dy-tre muaj më parë. Ky ka qenë gjithmonë një problem i madh për mua, një traumë që më ka ndjekur që nga shkolla fillore. Gjithmonë kam pasur ankth për sa i përket performancës time përpara prindërve. Ilaria më dha ultimatum se nëse nuk ia tregoja, atëherë do më linte”, ka thënë Samson në dëshminë e tij.

Falë zbërthimit të celularit dhe dëshmive, është krijuar një kuadër provash që gjyqtarja i cilëson si “granit” dhe që prej ditës së djeshme është përfshirë edhe nëna e vrasësit, e cila ka rrëfyer se e ka ndihmuar në fshehjen e trupit, pastrimin e shtëpisë dhe ndoshta në gjëra të tjera.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë