Kosova

I infektuar me Covid, Chollet anulon vizitën në Kosovë. Kurti do takohet vetëm me Escobar

Këshilltari i lartë i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet i cili do të vinte sot në Kosovë ka anuluar vizitën e tij. Arsyeja e shtyrjes së vizitës raportohet se ka ndodhur për shkak se ai është infektuar me Covid-19.

Chollet, sëbashku me të dërguarin amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar ishte parashikuar që të takonin pasditen e sotme udhëheqësit e lartë të shtetit të Kosovës, ndërsa mëngjesin e së martës përfaqësues të partive politike.

Në një njoftim të Qeverisë së Kosovës u bë e ditur se kryeministri Albin Kurti do të presë pasdite në takim vetëm Escobarin.

Vizita e tyre do vinte menjëherë pas asaj të emisarit të BE-së, për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçk, i cili qëndroi në Prishtinë e Begorad për t’u takuar me krerët e dy shteteve.

Po ashtu, edhe disa ditë pas njoftimit të kryediplomatit evropian, Josep Borell, se Prishtinës dhe Beogradit u është dorëzuar teksti i përditësuar i të ashtuquajturit plan franko-gjerman për normalizimin e marrëdhënieve.

Ky plan, i mbështetur nga Shtetet e Bashkuara, synon për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve mes dy vendeve. 

Vizita do vinte në kohën kur situata në veri të Kosovës – zonë e banuar me shumicë serbe – është e tensionuar.

Disa serbë lokalë atje, që më 10 dhjetor, ngritën barrikada dhe bllokuan rrugët që çojnë drejt pikave kufitare me Serbinë, Jarinjë dhe Bërnjak.

Këto veprime i ndërmorën pasi Policia e Kosovës arrestoi ish-pjesëtarin e këtij institucioni, Dejan Pantiq, nën dyshimetpër përfshirje në sulme kundër zyrtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veri të Kosovës dhe atyre policorë.

Në njoftimin e Departamentit amerikan të Shtetit për vizitën e Cholletit në Prishtinë u tha se ai do të bisedonte me zyrtarët kosovarë për një sërë çështjesh, përfshirë përpjekjet e SHBA-së për avancimin e integrimit të Kosovës në strukturat evropiane dhe euroatlantike.

Pas qëndrimit në Kosovë, Chollet do të vazhdonte vizitën në Serbi, Bosnje e Hercegovinë, Maqedoni të Veriut, Mal të Zi, Kroaci dhe Belgjikë. Ai pritet që këtë vizitë në shtetet e rajonit ta realizojë në fillim të vitit 2023.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë