Gazeta Si – Klaus Jaçaj, 31-vjeçarit të cilit i hodhën makinën në erë me eksploziv pas përfshirjes në plagosjen e dyfishtë në Sarandë, është arrestuar nga policia e qytetit bregdetar.
Jaçaj ishte shpallur në kërkim pasi akuzohet për veprat penale përkrahje e autorit të krimit dhe moskallëzimi, akuza që lidhen me ngjarjen e 17 Korrikut në Sarandë, ku mbetën të plagosur me armë dy persona nga Kamza, Gëzim Hajdaraj dhe Ernest Lama.
“Strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë dhe të Komisariatit të Policisë Sarandë vijojnë punën për kapjen e shtetasve në kërkim dhe për ekzekutimin e vendimeve gjyqësore ndaj shtetasve në hetim apo të dënuar. Në këtë kuadër, u ndalua K. J., 31 vjeç, banues në Sarandë, ndaj të cilit Prokuroria e Sarandës ka lëshuar urdhër ndalimi, për veprat penale “Përkrahja e autorit të krimit” dhe “Moskallëzimi i krimit”, lidhur me ngjarjen e ndodhur më datë 17.07.2025, në Sarandë, ku u plagosën me armë zjarri dy shtetas”, njofton policia.
Blutë e akuzojnë Jaçajn se ka përkrahur Ramadan Canajn, i cili akuzohet si personi që qëlloi me armë ndaj dy të plagosurve.
Katër ditë pas kësaj ngjarje, më 22 Korrik, Klaus Jaçajt i hodhën makinën në erë me eksploziv. Video më poshtë tregon edhe momentin në flakë të automjetit tip BMW, pak sekonda pas shpërthimit të tritolit në automjetin e parkuar.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




