Ka ndodhur

I vrarë me plumb në kokë, trupi i biznesmenit Ruzhdi Hoxha u gjet në Dajt. Policia: Autori i dyshuar, Fredi Rrushi

Policia e Tiranës thotë se autori i dyshuar i vrasjes se biznesmenit Ruxhdi Hoxha është miku i tij, Fredi Rrushi, i cili është edhe personi i fundit që ka pasur kontakte me viktimën, të zhdukur prej dy javësh.

Rrushi është arrestuar më datë 26 tetor 2021 nga Policia, si person i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet ligjzbatuese italiane për veprën penale të trafikimit të narkotikëve.

Ai pretendonte se e ka lënë mikun e tij në zonën e Treshit në Tiranë, por për autoritetet është edhe personi që i ka marrë jetën mikut të tij.

Ndërkohë Policia thotë se e ka lokalizuar që ditën e djeshme trupin e pajetë të 43-vjeçarit, biznesmen në fushën e inerteve.

“Si rezultat i kërkimeve, shërbimet e policisë bënë të mundur që në zonën e Dajtit të gjenin një xhup ku pas verifikimeve rezultoi se i përkiste shtetasit Ruzhdi Hoxha. Nisur nga gjithë provat e grumbulluara, paraditen e sotme, Strukturat Hetimore të DVP Tiranë, Komisariati i Policisë Nr.4, Forcat Shqiponja, FNSH dhe Instituti i Qenve të Policisë nën koordinimin e Departamentit të Policisë Kriminale dhe Departamentit për Sigurinë në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit u zhvillua një operacion kërkimi masiv në të gjithë zonën e Dajtit. Si rezultat edhe i kontrollit me qentë e gjurmës u bë e mundur që në Qafë-Mollë , mbrapa Dajtit, në një greminë, u gjet i mbuluar me zhavorr e gurë trupi i pajetë i shtetasit Ruzhdi Hoxha. Trupi i pajetë do transportohet në morgun e spitalit për kryerjen e ekspertizës mjeko-ligjore për të përcaktuar shkakun e humbjes së jetës”, thotë Policia.

Vendi ku u gjet biznesmeni Ruzhdi Hoxha

Biznesmeni 43-vjeçar kishte humbur kontaktin me familjarët që më 20 tetor. Katër ditë më vonë, djali i tij, kishte bërë denoncimin në polici, ndërsa rasti u bë publik të premten.

Borxhet dhe droga mbeten pistat kryesore të zhdukjes së 43-vjeçarit, por djali i biznesmenit mohoi që zhdukja e babait të tij të vinte si pasojë e borxheve. Ai u shpreh se, babai i tij kishte dalë me shoqërinë, që njihej prej vitesh. Megjithatë detaje të tjera pritet që të dalin në vijim.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë