Lojëra me Dore

I gjatë ‘vetëm’ 1.88 m/ I panjohuri McClung, surpriza e madhe e All Star Game

Gazeta Si – Deri pak ditë më parë luante në ‘G-League’. Gjatë ditëve të fundit ka firmosur për 76ers dhe pastaj ka arritur të bindë gjyqtarët për një vend në All Star Game. Lilard fiton sfidën e 3-pikëshave.

Në shenjën e Mac McClung. Emri më pak i njohur i All Star Saturday është shndërruar në protagonistin kryesor të ditës, duke fituar me personalitet të jashtëzakonshëm sfidën e ‘slam dunk’ (koshit me zhytje). Një element thelbësor i lojës së basketbollit (shënimi i koshit me një ose dy duar nga larta, që do të thotë se lojtari qëndron jo pak në ajër).

Mac McClung merr trofeun e ‘zhytesit’ me te mire. Gazeta Si, 19 shkurt 2023

Nuk janë më kohët e Vince Carter apo Nate Robinson dhe vitet e fundit ‘Slam Dunk Contest’ ka dhuruar emocione me pikatore, por në Salt Lake City për herë të parë kompeticioni që ka bërë historinë e NBA-së rimerr vëmendje falë numrave të një lojtari, që deri pak ditë më parë luante ende në G-League.

Në një javë të vetme ka ndryshuar jeta e McClung, i cili ka firmosur një kontratë me 76ers, është bërë ‘spokesman’ i Pumës dhe ka mbyllur në mënyrën më të bukur një periudhë magjike, duke triumfuar në sfidën e ‘zhytjeve’.

Tre ‘dunk’ në katër të lojtarit të lindur në Tennessee kanë marrë maksimumin e votave dhe McClung ka mundur kundërshtarin e tij në finale, Trey Murphy III të Pelicans, me një ‘zhytje pas një rrutullimi 360 gradë, që la me gojë hapur gjyqtarët dhe fansat e Salt Lake City.

I gjatë vetëm 1.88 m, lojtari që ka fituar popullaritet në YouTube për videot e ‘zhytjeve’ të tij në lice dhe që jo rastësisht për ‘dunk’ e fundit ka veshur fanellën e Gate City, shkollës së tij, ka një shpërthim të pabesueshëm. Ia ka treguar gjithë botës nga parketi i ‘Vivint Arena’.

Menjëherë ish-’rookie’ e vitit në G-League është bërë i famshëm për fansat e basketbollit amerikan. “Kam qenë gjithmonë një “underdog”, – thotë në fund të eventit Mac McClung, – por ky për mua është një burim motivimi. Të arrish t’i tregosh diçka atij që të kritikon dhe atij që nuk ka besim tek ty, është një kënaqësi shumë e madhe. Fitorja në garën e ‘zhytjeve’ ka qenë si të realizoja një ëndërr. Jam shumë i lumtur”.

Nëse një lojtar fare i panjohur rrëmbeu skenën, aty kishte hapësirë edhe për triumfin e një ylli të NBA-së, Damian Lilard. Ai fitoi duelin për 3 pikë, duke mundur në finale Buddy Hield. Lideri i Blazers, një nga favoritët e mëdhenj të kompeticionit, ka kaluar turin e parë bashkë me Hield dhe Haliburton.

Lojtari i Indiana vuajti në finale, Hield fitoi 25 pikë dhe Lilard, që veshi fanellën e universitetit të tij, Weber State, e mposhti me koshin e fundit, duke e mbyllur me 26 pikë dhe duke fituar trofeun e ‘Three Point Contest’.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë