Nga Gazeta Si- Temperaturat e ulëta të ditëve të fundit kanë sjellë një rritje të ndjeshme të problemeve kardiake, duke shtuar ndjeshëm fluksin e pacientëve në urgjencat spitalore.
Mjekët kardiologë në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” (QSUT) në Tiranë thonë se gjatë muajve të dimrit vihet re një rritje e rasteve me hipertension të pakontrolluar, dhimbje gjoksi, aritmi dhe deri në infarkt të miokardit.
Sipas specialistëve, i ftohti ndikon drejtpërdrejt në ngushtimin e enëve të gjakut, çka çon në rritjen e tensionit arterial dhe në ngarkesë më të madhe për zemrën.
Pacientët më të rrezikuar janë ata që vuajnë nga sëmundje kronike kardiovaskulare, hipertension, diabet, si dhe personat e moshuar.
Burime nga QSUT bëjnë me dije se vetëm gjatë javëve të fundit është shtuar ndjeshëm numri i paraqitjeve në urgjencë për probleme kardiake, ku nuk kanë munguar as rastet e infarktit akut të miokardit, të cilat kanë kërkuar ndërhyrje të menjëhershme mjekësore.
Mjekja kardiologe Engjëllushe Hasani, nga Poliklinika nr.3 në Tiranë, në një prononcim për Gazetasi.al shprehet se gjatë kësaj periudhe janë rritur ndjeshëm konsultat kardiologjike, pasi shumë pacientë shfaqin përkeqësim të gjendjes shëndetësore si pasojë e temperaturave të ulëta.
“Dyshimet zakonisht nisin me rritje të tensionit arterial, ndjesi shtrëngimi apo dhimbje gjoksi, lodhje të shpejtë dhe vështirësi në frymëmarrje, ndërsa në raste më të rënda mund të përfundojnë në infarkt. Ndaj pacientët kardiakë duhet të tregojnë kujdes maksimal dhe të mos neglizhojnë asnjë simptomë,” thekson kardiologia Hasani.
Mjekët këshillojnë që pacientët me probleme të zemrës të kryejnë kontrolle më të shpeshta gjatë dimrit, të ndjekin rregullisht terapinë e përshkruar, të shmangin ekspozimin e zgjatur në të ftohtë dhe të mbajnë një regjim ushqimor të shëndetshëm. Po ashtu, rekomandohet shmangia e stresit, konsumit të kripës dhe aktiviteti fizik i moderuar, sipas këshillës së mjekut.
Specialistët paralajmërojnë se çdo vonesë në paraqitjen tek mjeku mund të ketë pasoja serioze për shëndetin e zemrës, ndaj qytetarët ftohen të reagojnë në kohë dhe të kërkojnë ndihmë mjekësore sapo shfaqen simptomat e para.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



