Bujar Lezaj, të cilit iu komunikua masa e arrestit (ndodhet në burg për dhunë në familje), të dielën si i akuzuar në vrasjen e Behar Sofisë, ka mohuar akuzat para trupës gjyqësore gjatë dhënies së masës së sigurisë.
Gjykata e Posaçme e ka lënë 45-vjeçarin në burg, pasi sipas prokurorisë ai është personi që ka siguruar armën dhe biçikletën me të cilën u largua nga vendi i ngjarjes autori i vrasjes.
Por gjatë seancës, Lezaj ka mbajtur një qëndrim mohues, duke shprehur ngashërim dhe përlotje në sallë. Ai ka thënë para togave të zeza se nuk ka asnjë dijeni për organizimin dhe vrasjen e Behar Sofisë.
Autori kryesor për ekzekutimin e 66-vjeçarit pranë Piramidës në Tiranë, është identifikuar 24-vjeçari Ernejt Shytaj, i cili në dëshminë e tij ka pranuar se ka vrarë Behar Sofinë më 25 shkurt pranë qendrës në kryeqytet.
Ndërkohë, në burg në lidhje me këtë ngjarje, janë edhe Xhuljano Visha 28 vjeç, Leonard Xhixha 30 vjeç dhe Skënder Vathi 54 vjeç.
Behar Sofia, një emër i njohur për drejtësinë në fushën e narkotikëve, u ekzekutua mëngjesin e 25 shkurtit 2021 në një atentat që iu bë tek “Rruga e Elbasanit”, pranë Piramidës në kryeqytet.
Ndërkohë Lezaj, është duke qëndruar në paraburgimin e Fushë-Krujës, pasi është arrestuar disa muaj më parë për dhunë në familje.
Bujar Leza akuzohet për “Vrasje me paramendim” dhe “Mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, kryer në bashkëpunim të veçantë, atë të grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”. Ai është personi i 4 i arrestuar për vrasjen e Sofisë.
Sofia u ekzekutua mëngjesin 25 shkurtit afër Piramidës në Tiranë, ndërsa vrasësi u largua me biçikletë. Autori, pasi e ka ndjekur disa metra pranë shtëpisë së tij, i ka dalë para 66 vjeçarit dhe e ka qëlluar. I veshur sportiv, me kapele, syze e maskë anti-COVID, pasi ka bërë atentatin është larguar dhe ka kaluar në këmbë urën e Lanës. Më pas ai ka marrë një biçikletë pranë kullave dhe është larguar drejt Kodrave të Liqenit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.