Gazeta Si – Eduart Lami, i arrestuar për armëmbajtje pa leje dhe i dyshuar për vrasjen e postierit Lulzim Vishës në Kamëz, është lënë në burg nga Gjykata e Tiranës.
Në fakt, masa ndaj tij është kërkuar vetëm për akuzën e “armëmbajtjes pa leje” dhe nga prokuroria nuk është përmendur ekzekutimi i Lulzim Vishës.
Gjatë seancës, ai ka deklaruar para hetuesve se nuk ka pasur konflikt me familjen Visha. Lami është shprehur në dëshminë e tij, se në dijeninë e tij, nuk kanë pasur asnjë debat apo përplasje.
“Nuk kemi pasur konflikt me familjen e viktimës. Në dijeninë time nuk kemi pasur asnjë debat apo përplasje. Nuk e di për pjesëtarë të tjerë të familjes nëse kanë pasur konflikte me dy vëllezërit Visha. Por unë personalisht dhe nga ajo çfarë di unë nuk kemi pasur konflikte”, – tha Eduart Lami.
Eduart Lami u arrestua pasi në banesën e tij u gjet një armë zjarri automatike me silenciator dhe municion luftarak, 15 copë fishekë luftarak, një sëpatë, një thikë, një këllëf pistolete glok dhe në oborrin e shtëpisë u gjetën edhe 4 gëzhoja arme.
Gjithashtu, policia ka shpallur në kërkim djalin e xhaxhait të Eduart Lamit, Ervis Lamin, person me rekorde kriminale, i njohur si bashkëpunëtor për arratisjen nga burgu i Drenovës i 7 të dënuarve, më 23 nëntorit 2013, në mesin e të cilëve edhe Admir Tafili.
Burime nga grupi hetimor, bëjnë me dije se gëzhojat që u gjetën në vendngjarje dhe brenda automjetit të viktimës, përkojnë me armën që u gjet brenda “Porsche” të djegur në Zall Herr.
Po ashtu, rezulton se i njëjti model arme u gjet gjatë kontrollit në banesën e Ervis Lamit, i shpallur në kërkim nga policia dhe kushëri i Eduartit.
Lulzim Visha u gjet i vrarë mëngjesin e 24 janarit në një makinë në rrugën “Shën Stefani” në Zall Mner të Tiranës.
Visha punonte postier dhe në momentin e ngjarjes ishte nisur për në punë me automjetin e një poste private, ku u qëllua me breshëri plumbash.
Policia e Tiranës po i heton dy kushërinjtë edhe si autorë të dyshuar të vrasjes së 48-vjeçarit Lulzim Visha. Burime të sigurta nga grupi hetimor konfirmojnë se mes viktimës dhe disa prej anëtarëve të familjes Lami ka pasur një sherr për pronat.
Aktualisht, kjo është pista kryesore e hetimeve të policisë për zbardhjen e vrasjes. Ndërsa si pistë tjetër po hetohet një çështje hasmërie. Pasi në vitin 1997, vëllai i Lulzim Vishës vrau me armë një person, dënim të cilin e ka shlyer.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.