Gazeta Si – Me kërkesë të SPAK, GJKKO ka pezulluar nga detyra prokurorin Kledian Llaho, njëkohësisht drejtues i Prokurorisë së Sarandës, pasi ka dyshime se ka abuzuar me detyrën.
Llaho dyshohet për kryerjen e veprës penale “korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të drejtësisë”. Nga hetimet, rezultoi se Llaho dyshohet se ka kryer veprime me natyrë korruptive.
Sipas SPAK, ai ka kërkuar përfitime të parregullta materiale nga të cilat do të përfitonte në mënyrë të drejtpërdrejtë vjehrri i tij dhe një shtetas me iniciale V.Gj.
Po ashtu ka dyshime për veprime të kundraligjshme edhe në raport me persona të tjerë, sipas Prokurorisë së Posaçme.
“Në cilësinë e prokurorit të çështjes penale, nr. 774/2021 dhe asaj me nr.720/2024, dyshohet se ka abuzuar me funksionin e tij”, sqaron më tej SPAK.
Ndaj prokurorit, Llaho ka nisur një hetim disiplinor edhe nga ILD për shkelje të rëndë disiplinore dhe kërkon që ndaj tij të caktohet masa e uljes së pagës në masën 40% për një periudhë njëvjeçare.
Vendimi nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë pritet të jepet më 30 janar, ndërsa po këtë të enjte u zhvillua një seancë, ku anëtarët e KLP iu drejtuan pyetje palëve në këtë proces. Hetimi disiplinor nuk ka lidhje me rastin për të cilin Llaho është marrë në hetim nga SPAK.
Hetimi disiplinor ka nisur lidhur me veprimet dhe mosveprimet e tij duke sjellë zvarritje në një çështje penale, si dhe për moszbatimin e detyrave të lëna nga gjykata.
ILD, në seancat që janë zhvilluar në KLP ka deklaruar se ky hetim ka nisur pas ankesës së një qytetareje për zvarritje të një procedimi të Prokurorisë së Vlorës në vitin 2018, e cila kishte depozituar kallëzimin penal për këtë çështje.
ILD ka konkluduar se prokurori Llaho, përveç zvarritjeve të pajustifikuara të akteve procedurale, nuk ka zbatuar as vendimet e gjykatave që kanë rrëzuar kërkesën e tij për pushimin e çështjes duke i kërkuar kryerjen e veprimeve të reja hetimore konkrete.
Llaho e mori drejtimin e Prokurorisë së Sarandës në 31 janar të vitit 2023 pas vendimit nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë.
Ai e ka nisur karrierën e tij në vitin 2004 si Oficer i Policisë Gjyqësore, ndërsa në 2014 është bërë prokuror në Vlorë.
Pas punës në Sarandë si prokuror, ai u caktua në janar të dy viteve më parë si drejtues i prokurorisë atje. Ai kaloi Shkallën e Parë të Vettingut, por rasti i tij është ankimuar në Komisionin e Posaçëm të Apelimit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.