Të mërkurën, Zyra e Departamentit të Thesarit në SHBA për Kontrollin e Pasurive të Huaja (OFAC) ka targetuar me sanksione 16 individë dhe 24 subjekte në disa vende të Evropës dhe Hemisferen Perëndimore për përfshirje në korrupsion dhe krimin e organizuar.
Vendimet janë ndërmarrë në përputhje me Urdhrin Ekzekutiv që bazohet dhe zbaton Aktin Global të Përgjegjshmërisë për të Drejtat e Njeriut dhe synon ndëshkimin e autorëve të korruptuar dhe atyre që kanë abuzuar me të drejtat e njeriut.
“Krimi i organizuar ndërkombëtar dhe korrupsioni shpesh ecin paralelisht me efektet destabilizuese mbi sundimin e ligjit dhe qeverisjen demokratike,” tha Drejtori i Zyrës së Kontrollit të Pasurive të Huaja Andrea M. Gacki.
“Zyra e thesarit do të vazhdojë të çmontojë në mënyrë agresive lidhjet midis organizatave kriminale transnacionale dhe aktivitetit korruptiv, veçanërisht nga ata në detyrë që kanë besimin e publikut”
Strategjia e Shteteve të Bashkuara për luftën kundër korrupsionit, thekson rëndësinë e trajtimit të lidhjes mes korrupsionit, kriminalitetit dhe aktiviteteve të tjera të paligjshme si një prioritet i sigurisë kombëtare.
Krimi i organizuar dhe korrupsioni janë shpesh të lidhura me njëra tjetrën, grupet e krimit të organizuar destabilizojnë shoqërinë civile dhe bashkëpunojnë me zyrtarët publikë për t’iu shmangur ndjekjes penale.
Korrupsioni, sipas SHBA, gërryen besimin tek institucionet demokratike, veçanërisht kur grupet kriminale përfitojnë nga bashkëpunimi me zyrtarët publikë dhe kur aktorët e paligjshëm lejohen të veprojnë pa u ndëshkuar.
Krimi i organizuar shpesh arrin një shtrirje transnacionale, ku grupet kriminale veprojnë përtej kufijve, minojnë integritetin e sistemit financiar ndërkombëtar dhe ndërlikojnë përpjekjet për zbatimin e ligjit.
Në këtë kuadër, zyra e thesarit në SHBA ka kaluar ne veprime konkrete. Duke filluar me Zvonko Veselinovic udhëheqësi i Grupit të Krimit të Organizuar, sipas SHBA, një nga figurat më famëkeqe të korruptuara të Kosovës.
Zyra e thesarit nënvizoin se, “OCG e Veselinovic është e angazhuar në një skemë ryshfeti në shkallë të gjerë me zyrtarë të sigurisë kosovare dhe serbe, të cilët lehtësojnë trafikimin e paligjshëm të mallrave, parave, narkotikëve dhe armëve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Grupi gjithashtu ka komplotuar me politikanë të ndryshëm në disa marrëveshje, duke përfshirë ryshfetin në fillim të vitit 2019 të zyrtarëve kosovarë të sigurisë për të lejuar operacionet e tyre të kontrabandës ndërmjet Serbisë dhe Kosovës dhe ryshfetin e fundit të vitit 2017 të zyrtarëve kosovarë të sigurisë kufitare për të lejuar kalimin e sigurt për kontrabandistët”.
“Nga fundi i vitit 2017, Veselinovic dhe vëllai i tij Zharko Jovan Veselinovic (Zharko) kishin marrëveshje me politikanët për të ndihmuar partinë e tyre të fitojë zgjedhjet, të sigurojë fitore për kandidatët e tyre dhe të kontribuojë me shuma të mëdha parash për kandidatët. Në këmbim, këta politikanë do t’u jepnin vëllezërve kontrollin e zonave të caktuara për bizneset e tyre nga ku ata mund të kryenin aktivitetet e tyre të paligjshme të biznesit pa ndërhyrjen e autoriteteve serbe, dhe gjithashtu do të ofronin informacion për të mbështetur investimet e biznesit të vëllezërve. Politikanët gjithashtu do t’i shpërblenin vëllezërit Veselinoviç me kontratat më të mira të infrastrukturës”, thuhet në njoftimin e departamentit.
“Nga fundi i vitit 2017, Veselinovic dhe Zharko bënë donacione si metodë për pastrimin e parave që buronin nga sipërmarrja e tyre kriminale. Zharko ka qenë lider në OCG-në e Veselinovic, duke punuar me vëllain e tij dhe OCG-në në aktivitetet e tyre të kontrabandës, frikësimin e bizneseve, projektet e tyre të ndërtimit dhe infrastrukturës dhe projektet e tyre të zhvillimit të telekomunikacionit. Përveç kësaj, Veselinovic dhe grupi i tij u paditën për përfshirjen e tyre si të dyshuar në vrasjen e liderit të partisë politike Oliver Ivanoviç në janar 2018. Veselinovic dhe anëtarët e tjerë të OCG, Milan Rajko Radojcic (Radojcic), Zeljko Bojic (Bojic) dhe Marko Rosic ( Rosic), të gjithë u përmendën në aktakuzë për vrasjen, secili duke shërbyer rolin e tij në atentatin për ndërmarrjen kriminale”.
Shumica e grupit të biznemesnit serb të përfshirë në afera korruptive janë me seli në veri të Kosovës.
Në mesin e tyre është edhe Radule Stevic sipërmarrës serb nga veriu, i njohur për fitimin e shumë tenderëve të institucioneve të Kosovës për projekte të ndryshme infrastrukturore në veri të Kosovës.
Lista përfshin edhe kompani të shumta nga Serbia dhe Kosova, të cilat janë të lidhura me disa nga të përmendurit më lart.
Me futjen e tyre në listë të sanksioneve, prona e tyre kryesisht bllokohet dhe qytetarëve amerikanë u ndalohet të bashkëpunojnë me ta.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.