Nga Gazeta Si – Një mozaik nuancash japin qartë fytyrën e qeshur të Papa Françeskut. Ngjyrat e shtrira në telajo duket se gjurmojnë shpirtin e Papës me një realizëm të gjallë dhe mbi të gjitha sytë, të qetë, por të vendosur, të një njeriu që mban fatin e një kishe të shenjtë romake.
Portreti i Papa Françeskut është dhurata që piktori shqiptar Edmond Dhrami, ia dorëzoi vetë Atit të Shenjtë gjatë një audience të përgjithshme.
“Unë nuk jam fetar, por përtej vlerësimit tim të madh dhe respektit që kam për ju, jua dhuroj këtë pikturë si një nderim për ju, falë frymëzimit të marrë nga shprehja shumë njerëzore që mund të lexohet fort në fytyrën tuaj”. Këto ishin fjalët me të cilat piktori shqiptar Edmond Dhrami iu drejtua Papa Françeskut.
Ai thotë për Gazetën “Si” se iu prezantua si artist shqiptar, duke i shprehur jo vetëm stimën dhe respektin që ka për të, por edhe kënaqësinë e faljes së pikturës.
“Fjalët e tij ishin ‘më pëlqen, e gjej shumë interesante’ dhe u bë kurioz të dinte për mënyrën e punimit”, shprehet piktori për Gazetën “Si”, ndërsa shton se “kështu që m’u bë më e lehtë e folura me të, pasi nisa t’i shpjegoja për pikturën time”.


I tërhequr nga vepra e artistit Edmond Dhrami, Papa qëndron afro 10 minuta duke biseduar. E madje, realizon edhe selfie…
“I kërkova të bënim edhe një foto së bashku me telefonin tim, të cilën e pranoi me kënaqësi”, thotë më tej piktori.

Ideja e realizimit të një portreti për Papa Françeskun nuk ka qenë e rastësishme. Për shkak të miqve të tij që punojnë në Vatikan, ai ka arritur të ketë të dhëna më të detajuara mbi figurën e Atit të Shenjtë dhe e ka kuriozuar gjithmonë humaniteti i tij.
“Duke qenë se kam miq që janë punonjës në Vatikan, i bie që të jem deri diku i lidhur, në kuptimin p.sh. për Papa Françeskun të di diçka më shumë përsa i përket natyrës së tij. Kështu duke qenë se jam portretist dhe kam të bëj me psikologjinë njerëzore, pikërisht ishte shprehja e tij humane që më frymëzoi, e cila lexohet mjaft dukshëm në fytyrën e tij”, rrëfen piktori për Gazetën “Si”.
Pas realizimit të portretit, mendimi për t’ia dhuruar Papës ka lindur nga vetë piktori.
“E diskutova me një mikun tim që punon në Vatikan. Më pas u bë lidhja nëpërmjet një kardinali, ku u arrit m’u bë edhe ftesa në dijeninë e Papës”.
Edhe pse bëhej fjalë për një figurë me impakt të madh botëror, nuk ka pasur ndryshim për artistin në mënyrën se si ai i është qasur portretit dhe teknikave të punës.
“Nisja dhe procedimi i punës në portretin e Papës, pavarësisht pozicionit shumë të rëndësishëm të tij, nuk ndryshoi gjë në mënyrën time në lidhje me përgjegjësinë apo mënyrën dhe kohën e punës. Ajo që ka pasur rëndësi për mua si artist, është aspekti i pikturimit dhe kërkimi i vazhdueshëm brenda gjuhës time në art. Vlera artistike varet shumë më tepër nga ajo se ç’sjell artisti të re në formë (stil), se sa në përmbajtje”, thotë ndër të tjera artisti.
Deri më tani, Dhrami ka qenë pjesë e ekspozitave të ndryshme në mbarë botën. Ai jeton në Itali, ku përqendrohet edhe arti i tij. Portretet zënë një pjesë të konsiderueshme të veprave të tij, mes peizazheve, natyrave të qeta etj, dhe ka realizuar personalitete të historisë e humanizmit vendës si Shën Tereza, Skënderbeu e të tjerë.
Personalitetet janë sërish në fokus të punës së tij. Ai thotë se në vazhdim ka “një projekt që ka të bëjë me disa personazhe të famshme në fushën politike dhe të artit”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



