Analize

I dërguari i Trump për Kosovën kryqëzon Vuçiçin!

I dërguari i posaçëm i presidentit amerikan Donald Trump për dialogun Kosovë Serbi duket se ka shkaktuar stuhi në Beograd, duke i ia bërë “tetë me dy” presidentit serb.

Sipas medieve serbe, Aleksandër Vuçiç ka marrë kritika dhe kushte shumë të ashpra nga Richard Grenell, një nga njerëzit më të besuar të presidentit Trump. Pas takimit me Grenell, Vuçiv nuk ka dashur as të bënte deklaratë për shtyp.

Ai vizitoi Prishtinën dhe Beogradin, disa ditë pasi u emërua si i Dërguari Special i SHBA-së për Kosovën. Sipas raporteve, Grenell ka kërkuar jo vetëm njohjen e pavarësisë së Kosovës, por edhe disa kushte të tjera që nuk bëhen të ditura nga mediat, por që raportohet se kanë “xhindosur” Vuçiçin.

Këshilltarja për media e presidentit të Serbisë, Suzana Vasiljevic ka thënë se takimi mes tyre ka qenë jashtëzakonisht sfidues. Sipas saj, në dhjetë minutat e parë në takim kanë qenë kokë më kokë, vetëm Vuçiç dhe Grenell, dhe më pas në takim është bashkuar edhe drejtori i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën, Marko Gjuriç.

Vasiljevic ka thënë se ajo që ka qenë e pazakontë nga takimi me të dërguarin e Trumpit, është se Vuçic ka mbajtur shënime edhe për veten e tij, gjë që, sipas saj, nuk kishte ndodhur asnjëherë më parë.

Richard Grenell dhe presidenti Hashim Thaçi, Gazeta Si ,11 tetor 2019

“Çfarë ishte e pazakontë, ishte që presidenti po mbante shënime edhe për veten e tij për herë të parë. Bisedimet duket se ishin jashtëzakonisht të vështira”, ka thënë ajo.

Përveç të tjerash Vasiljevic ka thënë se pas takimit me Grenell, presidenti serb nuk ka folur me asnjë prej stafit për disa minuta. Këshilltarja e Vuçiç ka thënë se edhe më parë ka ndodhur që takimet rreth çështjes së Kosovës të jenë të vështira, megjithatë thotë se asnjëherë në atë nivel vështirësie sa që presidenti të mos flasë me asnjë prej bashkëpunëtorëve të tij.

Sipas Vasiljevic, presidentit serb i janë dashur disa minuta që të “marrë veten”. Më pas nga zyra e Vuçiçit është lëshuar një komunikatë në të cilën thuhej se presidentit i ka thënë emisarit të Trumpit se një kompromis që do të jetë në interes të stabilitetit dhe të ardhmes së rajonit, mund të arrihet duke respektuar interesat legjitime të Serbisë.

Në këtë njoftim është cituar Grenell i cili ka thënë se dy palët “duhet të bashkëpunojnë shpejt dhe ngushtë, duke shikuar drejt të ardhmes”.

Grenell është një nga njerëzit më të besuar të Trump dhe erdhi me një mandat të drejtpërdrejtë nga presidenti amerikan. Mediat serbe shkruajnë se Grenell i kishte vënë Vuçiçit disa kushte me peshë të madhe për Serbinë.

Presidenti serbe tha dy javë më parë se ishte kapur në befasi nga emërimi i një të dërguari të dytë të SHBA në Ballkan. Por pas takimit të djeshëm, i “alarmuar” do të ishte ndoshta një përshkrim më i saktë.

Me Matthew Palmer që duke u përqëndruar në integrimin e Ballkanit Perëndimor në përgjithësi, dhe tani me Richard Grenell që është duke u përqëndruar në veçanti në mosmarrëveshjen Serbi-Kosovë, SHBA ka treguar se është e vendosur të nxjerrë rajonin nga prapambetja ku e ka lënë Europa.

Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, Gazeta Si, 11 tetor 2019

Por asnjë nga këto nuk është një lajm i mirë për Serbinë, e cila ka çdo interes për status-quo-në aktuale me Kosovën dhe jo për zgjidhjen e konfliktit. Kosova, nga ana tjetër, ka shumë për të fituar nga SHBA që po përqëndrohet në përfundimin e marrëveshjes pasi çdo "zgjidhje" do të duhet të përfshijë njohjen e pavarësisë nga Serbia.

Por Serbia pritet të fitojë pak, dhe madje mund të humbasë shumë. Fitimet e saj të mundshme mund të përmblidhen me disa fjalë: fjalë të ngrohta nga Europa dhe shpresë për përshpejtimin e anëtarësimit në BE.

Por sa i përshpejtuar? Franca kundërshton çdo zgjerim të mëtejshëm të BE-së dhe, shanset e Serbisë për t'u anëtarësuar brenda dhjetë viteve të ardhshme janë të pakta, çfarëdo që të bëjë ajo për Kosovën.

Votuesit serbë nuk do ta shpërblejnë Presidentin Vucic dhe Partinë e tij Progresive për bërjen e lëshimeve ndaj Kosovës. Kundërshtimi i ashpër i pavarësisë së Kosovës është një “ngjitës politik” që mban së bashku partinë në pushtet dhe qytetarët serbë.

Dobësia ndaj Kosovës do të prishë marrëdhënit e Vuçiçit me elektoratin serb. Por njohja e Kosovës do të rrezikonte gjithashtu edhe aleancën gjithëpërfshirëse me Rusinë. Moska nuk ka e problem që Serbia të hyjë në BE dhe të bëhet një avokat i Moskës brenda këtij unioni.

Por ajo nuk do të bekonte njohjen e Kosovës, duke pasur parasysh se është çështja e Kosovës ajo që i ka mundësuar Rusisë të përfshihet përsëri në çështjet e Ballkanit, duke paraqitur veten si mbrojtësin e madh diplomatik të Serbisë. Pa Kosovën, Serbia do të ishte shumë më pak e varur nga Kremlini sesa është tani.

Ekziston edhe një arsye tjetër përse Serbia sheh pak përfitime nga arritja e një marrëveshje me Kosovën. Fushata e saj globale për të anuluar njohjen e Kosovës si shtet po shkon mjaft mirë. Serbia ka bindur nëpërmjet ryshfeteve një seri vendesh të varfra për të tërhequr njohjen nominale të Kosovës. Asnjë nga këto vende nuk ka ndonjë lidhje të vërtetë politike ose ekonomike as me Serbinë, as me Kosovën por kostoja për Kosovën është e madhe pasi e distancon atë më tej nga perspektiva e anëtarësimit në OKB.

Kjo është arsyeja pse ardhja e dy të dërguarve specialë nga SHBA-ja nuk është e mirëpritur nga Beogradi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë