Gazeta Si – Një automjet luksoz tip “Lamborghini Urus” iu sekuestrua një 34-vjeçari me precedentë penalë për disa vepra penale në aksin rrugor Sauk-Teg në Tiranë.
I riu Sahit Shpataj e kishte regjistruar mjetin me vlerë 160 mijë euro në emër të një kompanie me qëllim shmangien e gjurmimit të pasurisë dhe justifikimin e vlerës.
Ndaj tij dhe ndaj pronarit të kompanisë kanë nisur hetimet. Ndërsa 34 vjeçari përveç precedentëve për dhunë në familje dhe kundërshtim të punonjësve të policisë rezulton të jetë arrestuar në 2014-ën pasi duke u shtirur si polic, u grabiste çifteve të reja shuma të majme parash.
Hetimet paraprake treguan se 34-vjeçari, me të shkuar kriminale në fushën e vjedhjes përmes përvetësimit të padrejtë të detyrës shtetërore, si dhe i hetuar më parë për dhunë në familje dhe kundërshtim të punonjësve të Policisë, dyshohet se ka përdorur një manovër të sofistikuar për të justifikuar pronësinë e automjetit luksoz.
“Ky shtetas dyshohet se e ka regjistruar automjetin në emër të një subjekti tregtar, në pronësi të shtetasit E. D., me qëllim shmangien e gjurmimit dhe justifikimin e vlerës së lartë të tij”, thuhet më tej në deklaratën e Policisë.
Të dy personat, S. Sh. dhe E. D., janë vënë nën hetim penal dhe ndaj tyre kanë nisur procedurat përkatëse për vepra të dyshuara penale që lidhen me pastrim parash dhe fshehje të burimit të pasurisë.
Prokuroria e Tiranës po vijon punën për gjurmimin dhe sekuestrimin e pasurive të tjera të Shpatajt të cilat mund të kenë burime kriminale të të ardhurave.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



