Drejtësia

I dënuar përjetë për rrëmbimin e Jan Prengës, kopshtari bën rekurs në Gjykatën e Lartë

Gazeta Si - Festim Bexhdili, i dënuar nga GJKKO me burg përjetë, pas konfirmimit të vendimit nga Gjykata e Apelit në 20 mars për rrëmbimin dhe vrasjen e Jan Prengës janarin e vitit 2020, ka bërë rekurs në Gjykatën e Lartë.

I akuzuari, i punësuar si kopshtar, kërkon prishjen e vendimit të dënimit për rrëmbim me pasojë vdekjen dhe më pas zhdukjen e kufomës së Prengës. 

SPAK, thotë se nga kamerat e sigurisë në ambientet e resortit në pronësi të Altin Hajrit, Bexhdili ka pastruar vendin e krimit, vendin ku do groposej trupi, si dhe ka gjetur rroba të pastra për autorët që bënë rrëmbimin.

Pas rrëmbimit Jan Prenga u dërgua në kompleksin “Golden” në Shijak, në pronësi të Altin Hajrit, ku Festim Bexhdili punonte si kopshtar.

Pikërisht për këtë, SPAK dyshon se ai e di ku është fshehur trupi i pajetë i Prengës, por se nuk pranon që të rrëfehet.

Kopshtari i resortit ku është mbajtur për disa orë peng Prenga, kishte kërkuar pafajësi në Apel.

Edhe pse në mungesë të një kufome, gjykatat argumentojnë se për shkak të gjurmëve të gjakut të gjetur dhe pamjeve filmike në resortin në Shijak, Jan Prenga ka humbur jetën.

Për të pandehurin tjetër Olsi Turja, i akuzuar për pengim të zbulimit të të vërtetës, gjykata vendosi 3 vite burg.

Sipas SPAK, rrëmbimi i Prengës ndodhi për shkak të vjedhjes së një sasie kokaine të mbërritur nga Ekuadori, në portin britanik Portsmouth, nga vëllai i viktimës.

Në formë hakmarrje ndaj këtij veprimi prokuroria thotë se me urdhër të shtetasit Dritan Rexhepi, i cili ndodhet i arrestuar në Ekuador, është marrë peng edhe 52-vjeçari i cili më pas ka ndërruar jetë si pasojë e rrahjes dhe keqtrajtimeve.

Referuar pretencës së SPAK të dhënë një vit më parë, ndonëse nuk është gjetur trupi i të rrëmbyerit, nga analiza e fakteve dhe provave rezulton se ai ka vdekur.

Sipas prokurorisë nga pamjet filmike në garazhin e kompleksit “Golden” në Shijak, duket viktima që nuk jep asnjë shenje jete për disa orë me radhë, ndërsa shenjat e gjakut te gjetura në vendngjarje të krahasuara me ADN e nënës së viktimës rezultojnë se i përkasin te njëjtit profil gjenetik.

Disa muaj më parë, Gjykata e Shkallës së Parë nisi gjykimin në mungesë për porositësit e ngjarjes së rëndë:

Dritan Rexhepi, i zhdukur pas lirimit me kusht në Ekuador, Gentian Funiqi, i arrestuar në Spanjë, në pritje të ekstradimit, Geraldo Martini, Aldo Majnishta, Martin Bleta, Korado Gështenja e Artan Docaj, të akuzuar si grup i strukturuar kriminal për rrëmbimin e Jan Prengës.

Po ashtu, një ditë më parë, filloi gjykimi në mungesë për të njëjtin rast edhe ndaj Altin Hajrit, i shpallur në kërkim nga SPAK.

Ai akuzohet për veprat penale të rrëmbimit apo mbajtjes peng të personi, ku është shkaktuar vdekja, mbajtja pa leje e armëve luftarake, fshehje dhe asgjësim kufome, si dhe grup të strukturuar kriminal.

Policia, për një periudhë të gjatë ka kryer kërkime në zonat pranë resortit në Shkozet, por pa mundur të gjejë trupin e pajetë të 46-vjeçarit.

Sipas pamjeve nga kamerat e sigurisë, Jan Prenga dyshohet se u dhunua për vdekje dhe asgjësimi i trupit ka dyshime se u bë në fshatin Pjezë, shumë pranë kompleksit.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë