Gazeta Si - Gjykata e Apelit të Posaçëm ka rrëzuar kërkesën e dy familjarëve të Redjan Rrajës për të shfuqizuar sekuestron e 9 pasurive të luajtshme dhe të paluajtshme, të të dënuarit përjetë për atentatin ndaj prokurorit Arjan Ndoj, ku humbi jetën shoferi i tij, Andi Maloku.
GJKKO ka lënë në fuqi vendimin nr. 05, të datës 7 shkurt 2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar dhe në vendimin e sotëm përcakton që shpenzimet procedurale të gjykimit në Apel, t’i ngarkohen ankuesve.
Pasuritë e nipit të deputetit Rrahman Rraja përfshijnë apartamente, garazhe, një orë e kushtueshme “Rolex” dhe disa makina.
Redjan Rraja, Odesa Rraja dhe Marsela Çiça kishin ankimuar në korrik vendimin e GJKKO për konfiskimin e pasurive, ku mes tyre edhe nje "Audi" luksoz.
Bëhet fjalë për 9 pasuri të konfiskuara si truall, automjete apo edhe orë Rolex. Ndërsa është revokuar sekuestrimi i mjetit "Bentley", tip "Continental" në pronësi të Redjan Rrajës.
“Vendosi revokimin e sekuestros së vendosur mbi automjetin e markës Bentley, tipi Continental, me targë ***, blerë nga shtetasi R.Rr., me kontratë shitblerje automjeti me nr. 5272 rep, dhe nr. 2570 kol, datë 19.08.2019, në shumën 900 000 lekë (nëntëqind mijë) lekë. Për ekzekutimin e këtij vendimi të ngarkohet znj. Edisnaida Sulaj, e cila është administratore pranë Agjencisë për Administrimin e pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara pranë Ministrisë së Brendshme Tiranë, dhe Oficerët e Policisë Gjyqësore të Policisë së Shtetit”, thuhet në njoftim.
Pasuritë e sekuestruara:
Konfiskimin e pasurive të paluajtshme dhe të luajtshme, si më poshtë:
1.Pasuria me nr. ***, zk ***, vol.22, fq.25, me sipërfaqe 30 m2, e llojit “njësi”, regjistruar më datë 11.12.2014 në emër të shtetasit R.A.Rr.
2.Pasuria me nr. ***, zk ***, vol.22, fq.24, sipërfaqe 76 m2, e llojit “njësi”, regjistruar më datë 23.12.2014, në emër të shtetasit R.Rr..
3.Pasuria me nr. ***, zk ***, vol.60, fq.140, me sipërfaqe 127.5 m2, e llojit njësi, regjistruar në emër të shtetases M.Ç..
4.Pasuria me nr. ***, zk ***, me sipërfaqe 18.09 m2, regjistruar në emër të shtetases M.Ç.
5.Pasuria me nr. ***, zk ***, me sipërfaqe 18.09 m2, regjistruar në emër të shtetases M.Ç.
6.Automjeti me targë ***, Audi A8, regjistruar në emër të Redian Rraja në datën 29.10.2019, pas blerjes së tij nga shtetasi T.S. sipas kontratës me nr. 5267 rep, nr.2989 kol, datë 24.10.2019, kundrejt vlerës prej 20 000 Euro.
7.Automjeti me ngjyrë gri të tipit Audi me targa italiane ***, me numër shasie ***, sekuestruar shtetases K.K. sipas procesverbalit të datës 05 Nëntor 2019.
8.Një orë dore me rrip metalik, me ngjyrë gri dhe të verdhë, me fushë të zezë, me numër në pjesën e pasme 16233 (Roleks).
9.Shuma prej 2750 euro.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.