Ka ndodhur

U dënua pasi mori hak për vrasjen e djalit, RENEA arreston 46-vjeçarin Jetmir Llani për gjobëvënie

Gazeta Si – Jetmir Llani është arrestuar këtë të hënë nga forcat RENEA, pasi dyshohet se i vendoste gjoba biznesve në qytetin e Lezhës.

Sipas njoftimit të policisë, bëhet me dije se Llani në bashkëpunim me tre persona të tjerë u vendosnin gjoba bizneseve, duke ushtruar presion dhe kërcënuar me armë.

RENEA, në bazë të kontrolleve të kryera, sekuestroi 1 armë gjahu, municion luftarak dhe 2 automjete të blinduara, të cilat përdoreshin për të kryer këtë veprimtari.

Jetmir Llani

Vite më parë 46-vjeçari ka qenë në burg për vrasje, pasi u hakmor për djalin e tij 9-vjeçar, Indrit Llani, i cili u vra më 5 qershor të vitit 2012.

Jetmir Llani u dënua me 25 vite burgim nga Shkalla e Parë, por Apeli e uli, ndërsa mësohet se prej disa muajsh ka kryer dënimin dhe ndodhej në liri.

Në 5 qershor 2012, ndodhi një përplasje ndërmjet familjeve Shkreta dhe Llani, ku mbeti i vrarë Indrit Llani, ku nisi dhe saga hasmërinë mes dy fiseve.

Jetmir Llani humbi djalin e tij të vogël, Indritin, ndërsa i vëllai u plagos kur mesditën e 5 qershorit djaloshi së bashku me të vëllanë, kushërirën, nënën e tij dhe xhaxhanë po udhëtonin me makinë.

Vëllezërit Altin dhe Vladimir Shkreta akuzohen se i kanë dalë para makinës dhe kanë qëlluar me breshëri automatiku.

Pak ditë më vonë të qershrorit 2012, policia arrestoi autorët, ndërsa më 19 korrik plumbat i morën jetën Mark Shkretës, 71 vjeç babait të vëllezërve Altin dhe Vladimir.

Vrasja u shënua në rrugën “Hoxha Tahsim” në Tiranë dhe policia akuzoi Jetmir Llanin si autorin e dyshuar.

Jetmir Llani dhe vëllai i tij Muharrem Llani u dënuan me nga 25 vite burg. Dyshohet se Jetmir Llani ka qenë i dyshuar edhe për atentatin në fshatin Shpërdhet të Fushë Mamurras ndaj Gentian dhe Emanuel Shkretës, djemve të 71-vjeçarit të ekzekutuar, Mark Shkreta. Ngjarja ndodhi në nëntor 2012, ndërsa humbi jetën Gentian Shkreta.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë