Drejtësia

I dënuar me burg përjetë për vrasje, SPAK kërkon konfiskimin e pasurive të Redjan Rrajës

Gazeta Si - Edhe pse i dënuar me burg përjetë për vrasje, si një nga atentatorët ndaj prokurorit Arjan Ndoj, ku humbi jetën shoferi i tij, Andi Maloku, SPAK kërkon konfiskimin e pasurive të Redjan Rrajës.

Organi i akuzës ka kërkuar konfiskimin e të gjitha pasurive të tij apo familjarëve të tij, mes tyre edhe makinën tip “Audi” luksoz të Kejvina Kthjellës.

Po kështu në listë për tu konfiskuar, SPAK ka vendosur edhe dy garazhe, secila nga 18 metër katrorë, dy automjete Audi A8 dhe një të markës “Bentley” tip Continental, një orë dore tip “Roleks” dhe shumën prej 2750 Euro.

Nëse GJKKO pranon këtë kërkesë, pasuritë e Redjan Rrajës do t’i kalojnë shtetit. 

Mes pasurive që kërkohet konfiskimi janë:

– Pasuria e llojit apartament, (Njësi Tregtare) me sip. 76 m2, e ndodhur në Tiranë.

– Pasuria e llojit Njësi Tregtare, me sip. 30 m2, e ndodhur në Tiranë.

– Pasuria e llojit Njësi Tregtare, me sip. 127.5 m2, e ndodhur në Tiranë.

– Pasuria e llojit garazh, me sip. 18.09 m2, e ndodhur në Tiranë.

– Pasuria e llojit garazh, me sip. 18.09 m2, e ndodhur në Tiranë.

– 2 (dy) Automjete të tipit “Audi – A8”.

– Automjet i markës “Bentley” tipi Continental.

– Një orë dore tip “Roleks”.

– Shuma prej 2750 Euro.

Redjan Rraja është dënuar nga GJKKO për atentatin që ndodhi më 1 nëntor 2019 në autostradën Tiranë-Durrës, ku mbetën të plagosur prokurori i Durrësit Arjan Ndoja dhe Aleksandër Laho, ndërsa humbi jetën Andi Maloku, shoferi i prokurorit.

Ndërkohë Arjol Halilaj, i cili akuzohet si bashkëpunëtor i Rrajës në atentat, është dënuar me 35 vite burg.

Në dosjen e SPAK, akuzohen Redjan Rraja dhe Ariol Halilaj për vrasje e funksionarëve publik e mbetur në tentativë, vrasje në rrethana cilësuese me pasojë vdekjen, vrasje e mbetur në tentativë, armëmbajtje pa leje, grup i strukturuar kriminal, kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal dhe vjedhje të kryer në bashkëpunim.

Por Redjan Rraja i ka mohuar akuzat për përfshirje në atentatin ndaj prokurorit Ndoja, duke thënë se nuk ka lidhje me këtë ngjarje.

Redjan Rraja u arrestua në Shkodër në pikën kufitare të Hanit të Hotit, në tentativë për t’u larguar drejt Malit të Zi, pasi u zbulua nga gjurmët e gishtërinjve, në mjetin e gjetur nga policia pas atentatit.

Por sipas SPAK, atentati ndaj Aleksandër Lahos dhe Arjan Ndojt, dyshohet se është organizuar nga grupi i Plarent Dervishajt.

Anëtari i "Bandës së Durrësit", sipas SPAK, ka dashur të hakmerret për atentatin e kryer ndaj tij në qershor 2019.

Zbardhja e zinxhirit të ngjarjeve tri vite më vonë është bërë falë dëshmisë së një bashkëpunëtori të drejtësisë,

Policia e Shtetit zbardhi të gjithë operacionin e koduar “Komploti” në 20 janar 2023, ku pesë persona janë të arrestuar dhe katër të tjerë të shpallur në kërkim.

Përplasja mes grupeve kriminale, ka pasur si shkak konkurrencën në aktivitetin e paligjshëm dhe aferat e pronave në bregdet.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë