Ka ndodhur

I dënuar me 5 vite burg për trafik kokaine në Itali, kapet në Tiranë 40-vjeçari

Gazeta Si – Një 40-vjeçar është arrestuar në Tiranë, pasi ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar për pjesëmarrje në organizatë kriminale dhe trafik droge.

Policia tha se Valter Çela u ndalua në rrugën “Frosina Plaku” në kryeqytet. Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Apelit në Peruxhia në Itali e ka dënuar me 5 vjet burg, nga të cilat i kanë mbetur për të kryer edhe 2 vjet e 9 muaj.

Ndaj 40-vjeçarit rëndojnë akuzat “Pjesëmarrje në organizatë kriminale me qëllim trafikimin e sasive të mëdha të lëndëve narkotike”, (kryesisht kokainë), “Mbajtje, prodhim, shpërndarje të sasive të mëdha të lëndëve narkotike” (kokainë), kryer në bashkëpunim, parashikuar nga Kodi Penal i Italisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë