Drejtësia

I dënuar me 35 vite burg për vrasje dhe armëmbajtje pa leje, izolohet në regjimin ’41 bis’ Aleksandër Llanaj

Gazeta Si – Aleksandër Llanaj është izoluar në regjimin e ashpër të ashtuquajtur “41 bis” në institucionin e sigurisë së lartë ku vuan dënimin me 35 vite burg për vrasje.

Kalimi i tij në këtë regjim, u bë pasi ai konsiderohet person që përbën rrezikshmëri të lartë shoqërore dhe ka lidhje me organizata kriminale.

Llanaj është dënuar më parë me 35 vite burgim nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Vlorë për kryerjen e veprave penale “Vrasje në rrethana të tjera cilësuese”, e kryer ndaj dy ose më shumë personave, në bashkëpunim, dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.

Llanaj u dënua si një nga autorët e vrasjes së trefishtë ndodhur në 7 prill 2015 në lagjen “Çole” të Vlorës. Ndërsa për dy bashkëpunëtorët e tij, Berti Aliaj dhe Ani Begaj u dënuan nga 35 vite burg.

Sipas Prokurorisë, këta shtetas akzuohen për vrasjen e Haki Rakipit, Ardi Velaj dhe Albi Limaj. Nga hetimet rezultoi se shkak i ngjarjes ishte një sherr banal mes të rinjve.

Pikënisje e konfliktit ka qenë një debat mes të rinjve në një kazino të qytetit bregdetar. Sipas policisë, Haki Rakipi dhe Ardi Velaj kanë ofenduar Xhuliano Lutaj, i cili ka vënë në dijeni shokun e tij Albi Limaj.

Një ditë më pas ky i fundit ka lajmëruar Aleksandër Llanajn, shok i tyre, ndërsa pak orë më vonë tre të rinjve u bashkohen edhe Ani Begaj dhe Berti Aliaj.

Të hipur në një automjet të rinjtë kanë shkuar të sqarohen në një lokal në lagjen Çole ku ndodhej grupi tjetër i të rinjve.

Të dyja palët kanë qenë të armatosur ne momentin kur filluan të debatonin. Nga të shtënat mbeti i vdekur Haki Rakipi, Ardi Velaj dhe Albi Limaj.

Pas ngjarjes u arrestuan të gjithë të rinjtë, por në shtator gjykata la në detyrim paraqitje Ani Begaj dhe Berti Aliaj. Dy të dënuarit tashmë janë në arrati.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë