Bota

I dënuar me 14 vite për drogë, amerikani lirohet nga burgu rus falë të dërguarit të Trumpit

Gazeta Si – Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kanë siguruar lirimin e Marc Fogel, një nga të paktët shtetas amerikanë ende në burg në Rusi pas shkëmbimit të madh të të burgosurve që ndodhi gushtin e kaluar.

Fogel u arrestua në gusht 2021 dhe u dënua me 14 vjet burg për posedim marijuanë: ai kishte me vete një ilaç për dhimbjet e shpinës që përmbante këtë substancë, të përshkruar rregullisht në Shtetet e Bashkuara.

Një shënim nga Këshilli i Sigurisë Kombëtare i SHBA thotë se Steve Witkoff – i dërguari i posaçëm i SHBA për Rusinë dhe Ukrainën, i cili trajtoi negociatat – “po largohet nga hapësira ajrore ruse me Marc Fogel”, i cili deri në këtë mbrëmje “do të jetë në tokën amerikane”.

Ai gjithashtu thotë se presidenti amerikan Donald Trump, Witkoff dhe këshilltarët e presidentit “negociuan një shkëmbim që shërben si një shfaqje e mirëbesimit nga rusët dhe një sinjal se ne po lëvizim në drejtimin e duhur për t’i dhënë fund luftës brutale dhe të tmerrshme në Ukrainë”.

Lirimi i amerikanit, sipas Shtëpis së Bardhë, “është një akt i mirëbesimit”. Sakaq, i dërguari i Lindjes së Mesme Steve Witkoff, është zyrtari i parë amerikan që shkel në Rusi që nga nëntori 2021, kur ish-drejtori i CIA-s, William Burns shkoi në Moskë për të shmangur një pushtim të Ukrainës.

Në dhjetor 2022 pati një “shkëmbim” që përfshinte tregtarin e armëve Viktor Bout, i dënuar në SHBA me 25 vjet burg, dhe basketbollisten Griner.

Më 1 gusht 2024, gjashtëmbëdhjetë të burgosur të dënuar në Rusi dhe Bjellorusi, përfshirë gazetarin amerikan të “Wall Street Journal”, Evan Gershkovich dhe ish-marinsin amerikan Paul Whelan, së bashku me një sërë kundërshtarësh të Kremlinit, u shkëmbyen me tetë shtetas rusë, përfshirë agjentë sekretë dhe hakerë. Lirimi i Fogel duket se i përket një historie tjetër. Ndoshta, në fillim të një faze të re.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë