Nga Gazeta 'Si'- Gjykata e Lartë ka rrëzuar rekursin e Klemend Balilit lidhur me vendimin e Apelit të Posaçëm, që në vitin 2019 e dënoi atë përfundimisht me 10 vite burg.
Treshja gjykuese Ilir Panda, Medi Bici dhe Sandër Simoni nuk e morën parasysh rekursin e Balilit, i njohur ndryshe si “Eskobari i Ballkanit”.
Ky i fundit u dënua në 17 tetor 2019 përfundimisht me 10 vite burg, për kryerjen e veprave penale “trafikim i lëndëve narkotike në bashkëpunim”, “pjesëmarrje në grupin e strukturuar kriminal”, “refuzim për deklarim, mosdeklarim, fshehje ose deklarim i rremë i pasurive i nëpunësve civilë” dhe “pastrim të parave”.
Në bashkim të të gjitha dënimeve, ai u dënua me 15 vjet burg, por për shkak të gjykimit të shkurtuar Balili përfitoi ulje të 1/3 të dënimit, duke e dënuar përfundimisht me 10 vjet. Vendimi u la në fuqi nga Apeli.
Operacioni për goditjen e grupit të Balilit u zhvillua në muajin maj të vitit 2016, operacion qe u shtri në Greqi dhe Belgjikë. Në atë kohë Balili i shpëtoi arrestimit, por u vetëdorëzua pas tre vitesh arrati.
Po ashtu, Gjykata e Lartë ka rrëzuar edhe rekursin e bërë nga Arbër Çekaj për ‘mosfillimin e një procedimi penal nga ana e institucioneve të drejtësisë’.
Pronari i kompanisë “Arbi Garden” u shpall fajtor për trafikimin e sasisë më të madhe të drogës të kapur ndonjëherë në vendin tonë, 613 kg kokainë.
Çekaj u dënua me 21 vite burg, por për shkak të gjykimit të shkurtuar, atij iu ul 1/3 e dënimit dhe përfundimisht duhet të shlyejë 14 vite burg.
Çekaj mohoi edhe njëherë përfshirjen e tij në ngjarjen e 2018, kur brenda një kontejneri bananesh u gjetën 613 kg kokainë të ardhura nga Kolumbia, që kaloi nga Italia, në Portin e Durrësit dhe më pas në magazinën e Çekajt.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.