Drejtësia

I arrestuar për abuzim me fondet e BE, SPAK i kontrollon Ilir Beqajt banesën në Vlorë, avokati: Tentativë për ta mbajtur në burg

Pas abuzimit me fondet e BE-së në SASPAC, SPAK ka ushtruar kontrolle në banesën e ish-ministrit të Shëndetësisë Ilir Beqaj në Vlorë. Kontrolli ka zgjatur më shumë se 4 orë ndërsa nuk ka ende të dhëna të tjera.

Bëhet e ditur se dera e apartamentit është hapur me forcë nga zjarrfikëset. Apartamenti i Beqajt ndodhet në katin e 7 të një pallati në Lungomare.

Për këtë ka reaguar edhe avokati i tij Ermal Yzeiraj duke thënë se kjo është një tentativë për të mbajtur në burg Beqajn.

Sipas tij SPAK ka ushtruar kontroll në një banesë jo në pronësi të Beqajt, por në të cilën ish-ministri ka jetuar duke lidhur një kontratë qeraje.

Reagimi i plotë i avokatit të Ilir Beqaj:

Sot më datë 24.07.2024, rreth orës 14:00, unë si avokat i z. Ilir Beqaj jam kontaktuar në telefon nga oficerët përkatës të SPAK, të cilët më kërkuan të isha prezent në kontrollin që do ti bëhej (sipas tyre) shtëpisë në pronësi të z. Ilir Beqaj në Vlorë, duke më kërkuar gjithashtu që tu sillja nga Tirana dhe çelësin e kësaj shtëpie pasi në rast të kundërt do të shpërthenin derën.

Pasi e sqarova oficerin përkatës të SPAK që z. Ilir Beqaj nuk ka asnjë apartament në pronësi në Vlorë ai kërkoi ndjesë se ishte shprehur gabim dhe sqaroi që bëhet fjalë për një banesë që z. Beqaj nuk e ka në pronësi, por e ka patur me qira sipas një kontrate qiraje të vitit 2020.

Përgjigja ime ishte që nëse bëhet fjalë për shtëpinë që z. Beqaj ka patur me qira dhe që e ka deklaruar dhe në ILDKPKI, kjo kontratë qiraje e 2020 ka kohë që nuk është më në fuqi dhe z. Ilir Beqaj ka kohë që nuk e përdor më këtë shtëpi me qira, prandaj unë si avokat nuk kisha përse të nisesha nga Tirana për në Vlorë për të marrë pjesë në kontrollin e një banesë që ishte në pronësi dhe në përdorim të dikujt tjetër dhe madje një kërkesë e tillë ishte dhe tërësisht e paligjshme. Z. Ilir Beqaj nuk është as qiramarrës dhe as posedues i këtij apartamenti. Madje nuk ka sens logjik që z. Beqaj të jetë përdorues i këtij apartamenti kur të gjithë e dinë që z. Ilir Beqaj është tashmë në ambientet e paraburgimit.

Një kontroll i tillë është veçse një tentativë e dëshpëruar (në nivelet e një fiksimi) për të gjetur me çdo kusht një arsye që z. Ilir Beqaj të mbahet në burg dhe tregon që arsyet e deritanishme nuk paskan qenë dhe kaq bindëse sa pretendohej se ishin. Përkundrazi të gjitha veprimet e deritanishme për mbajtjen e z. Beqaj me masë sigurie arrest në burg janë haptazi në kundërshtim me jurisprudencën e GJEDNJ.

Pyetja kryesore që të gjithë duhet ti bëjnë SPAK në këto momente, përfshirë edhe vetë Gjykatën, është: mbi çfarë provash bazohet dyshimi i ikjes së z. Beqaj, i prishjes prej tij të ndonjë prove apo i kryerjes së ndonjë vepre tjetër penale, kur deri më tani z. Beqaj ka qëndruar për muaj me rradhë mbi prova, brenda ambienteve të Gjykatës së Posaçme dhe vetëm ka kontribuar për inventarizimin e tyre (kërkuar kjo nga vetë Gjykata e Posaçme)???

Urojmë që gjykatat të reflektojnë dhe mos jenë thjesht noterë të kësaj gjuetie të paligjshme!

Prej 4 korrikut 2024 ish ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj ndodhet në paraburgim. Si GJKKO dhe Apeli i GJKKO-së refuzoi ndryshimin e masës së sigurisë në një masë më të butë sigurie. 

Ndaj Beqajt SPAK ka ngritur akuzat për 'Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërore', 'Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim” “Mashtrim” si dhe “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë