Futboll

I bezdisshëm, bën si profesor! Borusia nxjerr në shitje Emre Çan

Gazeta Si – Identikiti që bëjnë në Dortmund për mesfushorin Emre Çan është ai i një personazhi, që askush nuk dëshiron ta ketë pranë. Për këtë arsye, Borusia po kërkon blerës për lojtarin e saj.

Emre Çan, ish-lojtar i Liverpulit dhe Juventusit, nuk po gjen paqe as në Gjermani, ku u kthye në 2020-ën për të veshur fanellën e Borusia Dortmund.

Emre Çan. Gazeta Si, 16 korrik 2022

Lojtari e ka shigjetuar shpesh Juventusin dhe trajnerin Sarri, duke e quajtur atë si shkaktarin e largimit. Por, me sa duket, problem nuk paska qenë ai. Sipas fjalëve që qarkullojnë në Gjermani, Çan ka një karakter shumë të veçantë, të bezdisshëm.

Nga opinionet e drejtuesve të Borusias, të publikuara nga “Bild”, rezulton se lojtari nuk pëlqehet aspak. Çfarë bën konkretisht? Jep leksione, bën si profesor, duke irrituar shokët e ekipit. Ndërhyn edhe te trajneri, siç ka bërë sezonin e fundit, kur në stol ishte Marko Rose.

Nuk është tipi i atij që njerëzit duan ta kenë afër. Përkundrazi… Prandaj dhe Borusia Dortmund e ka nxjerrë në shitje. Emre Çan ishte një gjysmë zhgënjim për klubin gjerman, që pagoi 25 milionë euro. Asnjëherë nuk ka bërë diferencën.

As në rolin e tij natyral në mesfushë, as në qendër të mbrojtjes. Dhe kur kësaj paraqitjeje i shtohen edhe dmëtimet e shumta, kuptohet që te Borusia duan ta shohin larg ‘Signal Iduna Park’…


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë