Gazeta Si – Altin Ndoci, i arrestuar me urdhër të SPAK, i dyshuar për disa vrasje dhe pjesëmarrje në ngjarje kriminale, është arratisur nga Spitali i Durrësit, ku ndodhej për mjekim.
Sipas njoftimit të Drejtorisë së Burgjeve, i paraburgosuri Ndoci është larguar nga ambientet e Spitalit Rajonal të Durrësit, ku ishte shoqëruar për kryerjen e vizitave mjekësore. Policët që e ruanin, kanë tentuar ta ndalojnë, por nuk kanë mundur dot, ndërsa vijojnë kërkimet.
“Të gjitha procedurat mjekësore janë zhvilluar në repartin e infektivit, i cili ka repartin e sigurisë për të dënuarit. Pavarësisht ndërhyrjes së menjëhershme nga forcat e Policisë së Burgjeve për ndalimin e tij, Altin Ndoci ka arritur të largohet nga spitali. Strukturat përkatëse janë vënë menjëherë në lëvizje dhe po punohet intensivisht për lokalizimin dhe kapjen e tij, si dhe për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes”, njofton Drejtoria e Burgjeve, ndërsa publikojnë edhe fotografinë e tij.

Sipas burimeve në rrugë jo zyrtare, 39-vjeçari Ndoci i ka kërkuar policit që po e ruante, duke i thënë se donte të shkonte në tualet dhe prej andej ka arritur t’ia mbathë.
Një nga policët që ruanin poshtë godinës së infektivit jashtë spitalit të Durrësit, ka qëlluar me armë në ajër, por pa arritur ta ndalojë.
Ai ka qëlluar në tokë për ta neutralizuar dhe më pas plumbi ka bërë rikoshetë, duke goditur në pjesën e shkallëve të hyrjes së godinës.
Ndoci ka vrapuar dhe ka mundur të arratiset, duke hipur në një makinë “Audi A7” që e priste në zonën e parkimit brenda spitalit.
Ndoci ka një historik të gjatë në botën e krimit dhe rezulton pjesë e organizatës kriminale të Çopjave në Elbasan.
Ai u arrestua në korrik 2020 gjatë operacionit “Plumbi i Artë”, si i dyshuar për vrasjen e 4 personave, fillimisht dy vëllezërve Besmir dhe Viktor Haxhiaj në Durrës dhe ekzekutimin e dy personave të tjerë 2020 Anxhelo Avdija dhe Dorian Shkoza.
Por më 2 prill 2024, Gjykata e Posaçme ka pushuar të gjitha akuzat ndaj Altin Ndocit, përfshirë edhe dyshimet për vrasjen e Dorjan Shkozës dhe Anxhelo Avdisë, duke e shpallur të pafajshëm.
Ishin dëshmitë e të arrestuarit, Klevis Alla, i cili e përfshinte Ndocin në këto 4 vrasje, por Gjykata e Posaçme nuk u bind nga këto dëshmi ç’ka bëri që të marrë pafajësinë.
Vendim i mbështetur edhe nga bashkëpunëtori i drejtësisë, Nuredin Dumani, i cili dëshmoi se Altin Ndoci nuk ka qenë i përfshirë në këto 2 vrasje në Durrës.
Në të tilla kushte, mbrojtja i kërkoi gjykatës pushim të akuzave, për të cilën gjeti miratim të togave të zeza, ku i dyshuari fitoi pafajësinë.
Megjithëse Altin Ndoci fitoi pafajësinë në vitin 2024, ai nuk mundi të dalë nga burgu, pasi SPAK ka ngritur akuza të tjera kundër tij, pas dëshmive të Nuredin Dumanit i cili e përfshin në disa ngjarje të rënda.
Në dëshmitë e dhëna në SPAK nga i penduari i drejtësisë Nuredin Dumani, Ndoci dyshohet si pjesëmarrës në vrasjen e Andi Zylyfit dhe plagosjen e Ardit Uruçit kryer në bashkëpunim në formën e “Grupit të strukturuar kriminal”.
Gjithashtu Ndoci mbahej në burg edhe për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, shpërthyese dhe i municionit”, e kryer në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal”.
Në një tjetër episod në shkurt të vitit 2025, i penduari i drejtësisë, Nuredin Dumani ka rrëfyer para togave të zeza disa nga krimet e kryera nga ai dhe banda e një tjetër të arrestuari nga SPAK, Erion Alibejt.
Ky i fundi ka akuzuar edhe Altin Ndocin se kishte qënë në grupin e ekzekutorëve madje kishte tentuar t’i vriste vëllanë por i ishte bllokuar arma.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



