Aksidenti tragjik në mes të natës në kryqëzimin te “21 Dhjetori” në Tiranë, ku humbën jetën dy persona, mund të ishte parandaluar nëse një patrullë policie do ta sinjalizonte drejtuesin e mjetit “Honda” të ndalonte.
I dehur, me thikë të fshehur në trup, një pushkë në makinë, me shpejtësi të madhe, me semafor të kuq dhe në shkelje të plotë të orës policore, 30-vjeçari Emirjan Doko, nuk është ndaluar nga asnjë postbllok policor në rrugën që ka përshkruar deri në zonën ku ndodhi aksidenti, thuajse 100 metra larg Komisariatit numër dy të Tiranës.
“Citroen”-i që drejtohej nga 30-vjeçari, po vinte nga “Pallati me Shigjeta” në drejtim të qendrës, ndërsa “Honda” ku udhëtonin dy viktimat, nga Fakulteti i Inxhinierisë së Ndërtimit.
Në skedarët e policisë, del se i riu nuk ka pasur probleme me drejtësinë në të shkuarën. Por mbetet mister se cili ishte destinacioni i tij, pasi dyshohet se ka udhëtuar i armatosur nga një qytet i vogël drejt kryeqytetit?
Nuk është hera e parë që ora policore e vendosur për masat anti-Covid nga Komiteti i Ekspertëve shkelet me të dyja këmbët nga individë të ndryshëm, qoftë për vjedhje, vrasje apo deri dhe në aksidente rrugore.
Duke kaluar me semafor të kuq, gjë që çdo qytetar me automjet ndalohet ta bëjë në çdo orë të ditës, ai nuk duhej të lëvizte fare gjatë orës policore.
Sigurisht që ka njerëz që për arsye pune apo shëndetësore lëvizin në orare të tilla, por mbajtja e thikës në trup dhe pushkës në makinë ngre pikëpyetje të mëdha.
Në njoftimet e saj ditore, policia shpesh raporton se arreston dhe gjobit persona që thyejnë këtë rregull me mbajtjen hapur të lokaleve apo dhe të qarkullimit me automjet.
Ndërsa më pak se një vit më parë, në dhjetor 2021, i riu Klodian Rasha u vra nga një polic pikërisht se kishte shkelur orën policore.
Atëherë lind pyetja, si ka mundësi që në aksidentin tragjik, edhe i dehur, edhe me armë, me semafor të kuq, në shkelje të orës policore, policia ku është?
Për ish-zv.kryeministrin dhe deputetin e Partisë Socialiste, Erion Braçe, kemi të bëjmë me një vrasje të qëllimtë. “Kjo është vrasje e qëllimtë e dy shtetasve! Në anën tjetër kaq shumë shkelje ligji, po policia ku është në mes të Tiranës?! Nuk luftohet pandemia me gjasme, hem si sëmundje infektive, hem si pandemi e paligjshmërisë, hem si pandemi e vrasjeve në rrugë! Ka dhe pushkë me vete-se desh e harrova; pandemia e armëmbajtjes pa leje”, shkruan Braçe në rrjetet sociale.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.