Drejtësia

I akuzuar për tendera, Gjykata e Lartë refuzon lirimin e ish-kryebashkiakut të Lushnjës

Gjykata e Lartë ka refuzuar lirimin e ish-kryebashkiakut të Lushnjës Fatos Tushe, i cili ndodhet në burg i akuzuar për shpërdorim detyre.

Tre gjyqtarët, Ilir Panda, Sokol Binaj dhe Sandër Simoni rrëzuan rekursin e avokatëve të Tushes, i arrestuar me urdhër të SPAK verën e shkuar.

Përveç tij, Gjykata e Lartë ka refuzuar rekursin për lirim edhe të pandehurve të tjerë nën hetim për këtë çështje: Flamur Peqini, Gazmend Çela, Bektash Nexha, Bujar Murati.

Edhe më herët, ish-kreu i Bashkisë Lushnjë, i akuzuar për “Shpërdorim detyre” në dyshimin e abuzimit me fondet publike dhe detyrën, ka kërkuar ndryshim të masës, teksa para Gjykatës ka mohuar akuzat, duke pretenduar pafajësi.

Mbi Tushen rëndon akuza e shpërdorimit të detyrës, pasi rezulton të jetë i përfshirë në një tender abuziv me fond rreth 24 milionë lekët për rehabilitimin e një kanali ujitës në fshatrat Bishqethëm dhe Bitaj.

Nga hetimet, del se Fatos Tushe ka shpërdoruar detyrën në tre raste. Përgjatë një viti hetimesh, SPAK pretendon se kryebashkiaku i Lushnjës, ka kryer shkelje jo vetëm për dhënien në favor të miqve për tenderin në fjalë.

Sipas SPAK, ndonëse fituese u shpall ‘Euro Alb’, punimet për rehabilitimin e kanalit vaditës i kreu shoqëria e Ibrahim Lamit, i cili shfaqet shpesh në biseda dhe përgjime, si dhe etiketohet si ‘miku’ i kryebashkiakut.

Një tjetër episod kundër ish-kryebashkiakut, lidhet me një telefonatë në të cilën një banor i kërkon ndihmë, sepse një inspektor i kishte pezulluar ndërtimin e banesës dhe ai i përgjigjet “Thuaji që fola me shefin”.

Tushe u shkarkua nga detyra nga një vendim i Këshillit të Ministrave pas aferave korruptive në të cilat dyshohet se është i përfshirë.

Dosja në ngarkim të tij dhe zyrtrëve të tjerë të këtij institucioni, u mbyll nga SPAK në fund të dhjetorit dhe është dërguar për gjykim.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë