Drejtësia

Abuzimi me fondet e BE, GJKKO liron bashkëpunëtorin e Ilir Beqajt

Gazeta Si – Biznesmeni Gazmend Haxhia, i akuzuar nga SPAK si bashkëpunëtor i ish-ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj në dosjen e shpërdorimit të fondeve të BE-së, u lirua nga masa “arrest shtëpie” nga GJKKO.

Gjykata e Posaçme e zbuti masën e sigurisë ndaj tij këtë të enjte duke përcaktuar vetëm “detyrim paraqitje”.

Sipas hetimeve, Haxhia rezulton të jetë personi që ka fituar tenderin e SASPAC dhe Ministrisë së Turizmit te dosja “Beqaj” e abuzimit me fondet e Bashkimit Evropian.

Gazmend Haxhia, po ashtu është një prej aksionerëve të hotelit në Durrës, ku një pjesë e tyre u sekuestruan pak ditë më parë me urdhër të SPAK-ut.

Biznesmeni u ndalua mesditën e 8 korrikut nga policia sapo zbriti nga avioni në aeroportin e Rinasit. Avokati i tij Henrik Ligori tha se Haxhia u vetëdorëzua dhe njoftoi prokuroren e çështjes se do ndërpriste vizitën në Kinë për tu përballur me drejtësinë.

Prokuroria e Posaçme dyshon se Beqaj si drejtues i SASPAC, ka abuzuar me të paktën 8 procedura prokurimi nga agjencia për menaxhimin e fondeve të BE, duke fryrë shifrat në qindra mijëra euro drejt kompanive të ndryshme për shërbime të pakryera me përfitues vetë ish-ministrin.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë