Biznesmeni Mirel Mërtiri, i akuzuar nga opozita se qëndron pas tre incineratorëve të Elbasanit, Fierit dhe Tiranës u kërkon bankave të nivelit të dytë që të mos vënë në dispozicion të Komisionit Hetimor Parlamentar të ngritur me kërkesë të Partisë Demokratike, që e cilëson këtë PPP si korruptive.
“Dëshiroj t’ju sjell në vëmendjen tuaj se Komisioni administron dokumente zyrtare. Organet kompetente që i disponojne këto të dhëna zyrtare janë të detyruara t’ia percjellin zyrtarisht Komisionit Hetimor. Pra, detyrimi bie vetëm mbi organet administrative shtetërore dhe jo entitetet private, si Banka juaj, të cilat e kanë të ndaluara me ligj”, thotë Mërtiri në kërkesën drejtuar bankave private.
Ai thotë se detyrimi i bankës për të ruajtur konfidencialitetin e klientëve është thelbësor në veprimtarinë e saj dhe rregullohet nga ligji për bankat, vendime të Gjykatës Kushtetuese, Kushtetuta dhe Konventat ndërkombëtare.
Mërtiri deklaron se bankat janë të detyruara nga ligji që këto të dhëna t’ua vënë në dispozicion vetëm organeve të drejtësisë, duke shtuar se Komisioni Hetimor Parlamentar nuk është pjesë e këtyre programeve. Ai thotë se shkelja e konfidencialitetit nga ana e bankave përbën vepër penale.
“Komisioni Hetimor nuk hyn në asnjë rast në rradhën e këtyre autoriteteve juridike që e fitojnë këtë të drejtë me ligj. Rrjedhimisht, shprehim keqardhjen tonë që jemi të detyruar që t’ju kujtojmë se shkelja e detyrimit të konfidencialitetit përbën kundërvajtje penale e dënueshme me gjobë ose me burgim deri në një vit”, thotë ai.
Letra e biznesmenit të akuzuar nga opozita se qëndron pas skemës së incineratorëve, që PD thotë se është korruptive ka pasuar kërkesën e disa deputetëve të PD drejtuar bankave të nivelit të dytë, ku kërkohen historiku i veprimeve në llogaritë bankare të Mërtirit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.






