Ka ndodhur

I akuzuar nga GJKKO për trafik armësh me grupe kriminale, arrestohet 33-vjeçari shqiptar në Kolumbi. Pritet ekstradimi (foto)

Gazeta Si – Një 33-vjeçar shqiptar, i identifikuar si Almir Gjidiaj, është arrestuar në Kolumbi, në kuadër të operacionit të koduar “Kartagjena”.

Sipas policisë, i riu nga Tropoja, ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, i akuzuar nga GJKKO, si pjesëtar i një organizatë kriminale për trafikim të armëve.

Roli me grupet kriminale

Roli i tij kryesor ishte të drejtonte logjistikën dhe transportin për shitjen e armëve të zjarrit me rreze të mesme dhe të gjatë në tregun e zi.

Sipas burimeve paraprake, Gjidiaj po qëndronte në një hotel në ishujt Rosario, para se të arrestohej. I riu ka tentuar të arratisej, por është kapur në oborrin e hotelit.

Pas shkëmbimit të informacioneve me Interpol u zbulua se ai kërkohej nga Shqipëria. Roli i tij kryesor ishte të drejtonte logjistikën dhe transportin për shitjen e armëve të zjarrit me rreze të mesme dhe të gjatë në tregun e zi.

Këto armë përdoreshin nga të ashtuquajturat mafia shqiptare, të lidhura drejtpërdrejtë me Kartelin Ballkanik, me prezencë në Mbretërinë e Bashkuar.

Në 2011-ën arrestua me kanabis dhe tritol

Almir Gjidiaj, në fakt rezulton me precedentë penalë edhe në Shqipëri. Në vitin 2011 është arrestuar bashkë me tre persona të tjerë në Tiranë.

Në dritaren e banesës ku qëndronin u vendos një sasi tritoli. Gjatë kontrollit në banesë, policia gjeti një çantë me rreth 5 kg kanabis. Në mesin e të arrestuarve në atë kohë ishte edhe Gjidiaj.

Policia tha në atë kohë se shpërthimi kishte të bënte me sasinë e drogës që u gjet në banesë. Dyshohej se mes autorëve dhe të arrestuarve kishte pasur një konflikt për sasinë e bimës narkotike e destinuar për shitje.

Interpol Tirana, në bashkëpunim me autoritetet kolumbiane, do të kryejë procedurat për ekstradimin e 33-vjeçarit në Shqipëri.

“Kapet nga Policia kolumbiane, në qytetin e Kartagjenës, 33-vjeçari nga Tropoja, i shpallur në kërkim ndërkombëtar, i akuzuar nga GJKKO, si pjesëtar i një organizatë kriminale për trafikim të armëve. Në vijim të bashkëpunimit me homologët, për lokalizimin dhe kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar, bazuar dhe në informacionet e shkëmbyera mes strukturave të Policisë së Shtetit dhe atyre të Kolumbisë, nëpërmjet Interpol Tiranës, në kuadër të operacionit policor “Kartagjena”, është lokalizuar, kapur dhe ndaluar në qytetin e Kartagjenës, nga Policia kolumbiane, shtetasi A. Gj., 33 vjeç, lindur në Tropojë”, – thuhet në njoftimin e policisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë