Futboll

Hysaj shkakton penallti në barazimin me Leçen, Muçi gjen golin në Poloni

Gazeta Si – Elseid Hysaj ishte titullar në ndeshjen e javës së 35-të të Serisë A, që dhuroi një rezultat surprizë. Lacio barazoi 2-2 në ‘Olimpico’ me Leçen, madje në minutat shtesë arriti të shmangte humbjen, falë një goli të Milinkoviç-Saviç.

Nga ndeshja Lacio-Leçe, 2-2. Gazeta Si, 12 maj 2023

Mbrojtësi i Kombëtares u aktivizua në pozicionin e mbrojtësit të majtë dhe u zëvendësua pa u mbushur një orë lojë. Hysaj shkaktoi një penallti në pjesën e parë, kur rezultati ishte 0-0, por për fatin e tij të mirë kundërshtari e shpërdoroi atë. Lacio shënoi me Imobilen, por më pas pësoi 2 gola nga Oudin.

Ka gjetur rrugën e rrjetës sot në mbrëmje Ernest Muçi në Poloni. Ai realizoi golin e dytë për Legian e Varshavës në fitoren e thellë, 5-1, ndaj Jagellonias. Muçi e nisi ndeshjen titullar, ashtu si dhe ish-lojtari tjetër i Tiranës, mesfushori Jurgen Çelhaka.

Legia mban vendin e dytë në kampionat, por ka një diferencë të konsiderueshme me kreun. Për Muçin ky ishte goli i 5-të në kampionatin polak.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë