Nga Gazeta Si- Pritja mori fund dhe fillimi i javës shënoi dhe fillimin e përgatitjeve për ndeshjen e Playoff-it ndaj Polonisë në rrugën drejt Botërorit amerikan.
Kapiteni Elseid Hysaj dhe mesfushori Qazim Laçi dolën sot përpara medias në stadiumin “Air Albania”.
Në prononcimin e tij, Hysaj u ndal te gjendja fizike, roli në ekip dhe motivimi i grupit, duke nënvizuar se të gjithë lojtarët janë gati për të dhënë maksimumin.
“Është e vërtetë që nuk kam pasur shumë minuta te Lazio, por kur vjen në Kombëtare është një ndjesi tjetër. Do të jap gjithmonë maksimumin, pavarësisht sa minuta do të luaj. Nëse janë 60 minuta, do t’i bëj në mënyrën më të mirë të mundshme”, u shpreh ai.
Mbrojtësi i djathtë e cilësoi ndeshjen ndaj Polonisë si shumë të vështirë, duke vlerësuar cilësitë e kundërshtarit, por theksoi se Shqipëria ka një mundësi unike për t’u kualifikuar në Botëror.
“Polonia është një skuadër e fortë me shumë cilësi, por kjo është mundësia jonë”.
Në të njëjtën linjë ishte edhe mesfushori Qazim Laçi, i cili paralajmëroi një ndeshje të fortë dhe të luftuar në çdo detaj.
“Mënyra se si do të futemi në lojë do të tregojë shumë gjëra. Duhet të kemi parasysh që ndeshja mund të shkojë edhe në shtesë. Por ne do të futemi nga minuta e parë për ta mbyllur ndeshjen sa më shpejt”, tha Laçi, duke shtuar se tifozët janë kudo dhe janë forca më e madhe.
“Ëndrra e çdo shqiptari është të shohim Shqipërinë tonë në Botëror. Ja ku erdhi momenti, jemi shumë afër. Tani duhet ta shfrytëzojmë këtë moment. Nuk do të jetë e lehtë, është kundërshtar i fortë. Duhet të bëjmë më të mirën, mos të harrojmë që kemi edhe një ndeshje të dytë”, tha Laçi.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje