Kombetarja

Hysaj: Inatin e kemi me Poloninë, skuadra është përforcuar shumë

Në krah të trajnerit Reja në konferencën shtypi ishte sot Elseid Hysaj, i cili, me sa duket, do të mbajë shiritin e kapitenit nesër ndaj San Marinos, çka do të thotë se në portë mund të jetë Strakosha dhe jo Berisha. Mbrojtësi shkodran, që mungoi ndaj Hungarisë për shkak kartonësh, mes të tjerash ka theksuar:

“Na duhej fitorja me Hungarinë, sepse na karikon shumë për të ecur përpara. Kemi mundësi të shkojmë në Katar dhe jemi të motivuar për ndeshjen e radhës. Kemi besim dhe jemi përforcuar. Mund të them se Shqipëria nuk ka qenë kaq e përforcuar, me lojtarë që luajnë me ekipe të mira europiane. Duhet të kemi besim, të luajmë shumë mirë, si me Hungarinë.

Polonia apo Hungaria janë rivalë në nivele të mira. Polonia ka Levandovskin, që luan te më të mirët, ndërsa Hunagria është si puna jonë, ka grupin që punon bashkë për të bërë mire. Të dyja këto skuadra janë rivalët tanë deri në fund. Kemi harmoni në ekip. Me Hungarinë mesfusha dha maksimumin, bëri lëvizje shumë të mira, e rëndësishme është të kesh sulmues që shënojnë dhe këtë e kemi bërë. E bëri Cikalleshi me Poloninë, Broja me Hungarinë, por me kalimin e kohës do kemi më shumë vlera në të gjitha repartet.

Kemi shumë mundësi të marrim pikë ndaj dy rivalëve. Me San Marinon jemi të favorizuar dhe 3-pikëshi nuk duhet diskutuar. Ndeshjen me Poloninë mezi e presim, sepse na vjen inati sin a mundi, të gjitha statistikat ishin për ne. Ishin ca gabime personale që duhet të rregullojmë. Kundër tyre do të jenë ndeshjet më të bukura.

Lacio? Skuadra e re shumë mirë, ka perspektivë, ka qëllim të shkojë në Ligën e Kampionëve. Aty gjeta dhe mister Sarrin, kam punuar shumë me të dhe për mua është frymë e re. Sarri më ka rritur në nivelin e karrierës si futbollist dhe dua ta falënderoj”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë