Kombetarja

Hysaj e Gjasula njëzëri: Kombëtarja, përgjegjësi e madhe, lojtarët e rinj do të na ndihmojnë

Kuqezinjtë janë grumbulluar sot në Barcelonë, ku po zhvillojnë përgatitjet për ndeshjet e para kualifikuese në Grup, duke nisur nga transferta me Andorrën. Dy lojtarët e radhës që kanë dalë në konferencë shtypi janë mesfushori Klaus Gjasula dhe mbrojtësi, Elseid Hysaj.

Elseid Hysaj vjen në Kombëtare, pas paraqitjeve fantastike në ndeshjet e fundit me fanellën e Napolit. Para mediave është shprehur se prurjet e reja do ta ndihmojnë ekipin, ndërsa thotë se ka folur edhe me Nedim Bajramin. Ndër të tjera, shkodrani kërkon ta fillojë fushatën me këmbë të mbarë: “Ta fillojmë me këmbën e mbarë pasi ndeshja ne parë është më e rëndësishme. Të jemi kompakt si në ndeshjet e fundit në Ligën e Kombeve. Kemi shumë lojtarë që janë në formë të mirë dhe siç e shoh te grupi, jemi fantastikë dhe Bajrami mund të na japë një shtysë më shumë për të ecur përpara.

Kam folur me të, është një lojtar shumë i mirë dhe kjo skuadër të jep mundësi të ecësh përpara. Kualitetet I ka, presion nuk ka sepse aty është qytet I vogël dhe I qetë. I kam thënë që të bëjë lojën e tij dhe të tregojë çka di. Koha e shkurtër për tre ndeshje, ndikon? Tani jemi mësuar, kemi luajtur edhe në tre ditë. Kemi luajtur nën pandemi. Jemi të organizuar dhe ndihemi mirë, nuk do jetë problem të luajmë çdo tre ditë.

Jemi i njëjti grup, në vetvete e dimë se kush jemi. Të kemi frymën e ndeshjeve të shkuara sepse nisëm të luajmë mirë dhe trajneri ka bërë atë që duhet. Prurjet e reja do na ndihmojnë për të ecur përpara.

Kundërshtari? Më mirë kur e njeh kundërshtarin. Në emër është i lehtë por futbolli ka të papritura. Nëse jemi të përqendruar, do e bëjmë ndeshjen e lehtë dhe nuk duhet ta nënvlerësojmë kundërshtarin sepse në të kundërt do na kthehet ndeshja në disfavor”, u shpreh Hysaj.

Mesfushori i Kombëtares, Klaus Gjasula, u shpreh optimist për 3 sfidat e muajit mars. Edhe pse jo në 100 % të formës, futbollisti i cili aktivizohet te Hamburgu në Gjermani, premtoi se do të japë maksimumin me fanellën kuqezi: ‘’ Lojtarët janë të njëjtë vetëm 1-2 janë të rinj, për mua nuk ka ndryshuar shumë, fryma e grupit është e mirë.

Nuk jam në 100 % nga fuqia, por ndihem gati për të ndihmuar, aq minuta sa do të më japë trajneri, do të jap maksimumin për skuadrën. Ndihet që po afrohemi të gjithë më shumë me njëri-tjetrin. E kemi treguar në ndeshjet e fundit. Me thënë të drejtën unë personalisht nuk e kam menduar fare sa pikë do të marrim. Kemi detyrë të fitojmë ndeshjen e parë. Mbas asaj do të mendojmë për ndeshjen e ardhshme.

E bëmë njëherë gabimin, besoj që ketë radhë do të jetë ndryshe. Do të jemi më të përqendruar. Është kundërshtar i fortë që na ka marrë pikë në Shqipëri, tani duhet të marrim ne 3 pikë ”, – tha mes të tjerash Gjasula.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë