Qeveria ka miratuar në mbledhjen e 11 shtatorit vendimin “Për zgjerimin e sipërfaqes së Parkut Kombëtar Mali i Tomorit’”. Projektvendimi fillimisht ishte hedhur për konsultim publik nga ana e qeverisë, por vendimi është marrë në mbledhjen e 11 shtator, pa u bërë publik në njoftimet zyrtare të Këshillit të Ministrave. VKM-ja “e fshehtë” është zbuluar vetëm pas publikimit në Fletoren Zyrtare të datës 12 shtator, ku tashmë pas këtij akti ai hyn menjëherë në fuqi.
Zgjerimin e sipërfaqes së Parkut Kombëtar Mali i Tomorit, do të jetë me një sipërfaqe prej 1383.0758 ha. Nga ky zgjerim, kufiri i Parkut Kombëtar do të ketë një sipërfaqe prej 26106.1758 ha.
Në pikën 5 të këtij vendimi është përcaktuar se Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, në bashkëpunim me ministritë e tjera të linjës, me njësitë e vetëqeverisjes vendore, institucionet kërkimore-shkencore, me përfaqësuesit e biznesit dhe të pronarëve privatë, organizatat e shoqërisë civile, brenda 1 viti, nga hyrja në fuqi e këtij vendimi, hartojnë planin shtesë të menaxhimit të sipërfaqes së zgjeruar, si pjesë e planit të menaxhimit të parkut kombëtar, i cili miratohet nga ministri përgjegjës për zonat e mbrojtura mjedisore. Në këtë zonë ushtrojnë aktivitetin për shfrytëzimin e gurit dekorativ në Malin e Tomorrit 12 firma.
Prej dy vitesh qeveria nisi një betejë me firmat gurore ku i kërkoi që të mbylleshin. Në korrik të vitit 2018 mori vendimin për të mbyllur guroret. Por firmat e materialeve të ndërtimit e dërguan në Gjykatën Administrative vendimin e qeverisë dhe e fituan atë. Por kjo bëri që qeveria të mos zmbrapsej në këtë betejë, duke nisur nga e para procesin që nga vendimi në Këshillin Kombëtar të Territorit, hedhjen e projektit për konsultim publik dhe më pas miratimin.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.