Bota

Hunter Biden, djali i Presidentit të SHBA shpallet fajtor nga gjykata, sa vite burg rrezikon

Hunter Biden  (djali i Presidentit të SHBA Joe Biden) u shpall fajtor për të tre akuzat në gjyqin e tij për blerjen e një arme pavarësisht varësisë së tij nga droga. Ishte juria e gjykatës në Wilmington, Delaware që e mori këtë vendim. Hunter akuzohet se ka mashtruar për përdorimin e lëndëve narkotike dhe zotërimin e jashtëligjshëm të armëve.

Ai rrezikon një dënim deri në 25 vjet burg, por duke mos pasur precedent duhet të jetë shumë më pak: dënimi i mundshëm do të vendoset nga gjyqtarja federale Maryellen Noreika, e emëruar nga Trump në 2018, por e mbështetur nga dy senatorët demokratë nga Delaëare.

Babai i tij në çdo rast mund t'i japë atij një falje presidenciale, ose t'ia zbusë dënimin, por Shtëpia e Bardhë tashmë e ka përjashtuar zyrtarisht këtë mundësi.

Hunter, 54 vjeç, djali i trazuar i Joe Biden, u akuzua se kishte gënjyer për varësinë e tij nga droga kur bleu një armë në vitin 2018.

Hunter gjithmonë e ka pranuar se ai përdorte vazhdimisht drogë në atë kohë edhe pse u vetdeklarua i pafajshëm.

Çështja u zvarrit për një kohë të gjatë dhe Biden kishte arritur tashmë një marrëveshje me prokurorinë. Kjo marrëveshje, e cila përfshinte gjithashtu dy vjet provë, dështoi sepse republikanët argumentuan se djali i presidentit po merrte trajtim preferencial.

Kishte tre akuza në ngarkim të tij: dy kishin të bënin me blerjen e armës, gjatë së cilës Hunter Biden gënjeu, dhe e treta i referohet posedimit të vetë armës, e ndaluar me ligj federal për përdoruesit e drogës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë