Orges Shehi nuk është më trajner i Tiranës, por edhe është! Për të gjithë, kaq konfuze është kjo situatë në të vërtetë.
Mëngjesin e sotëm, drejtori sportiv i klubit Tefik Osmani, i ka komunikuar përpara fillimit të seancës stërvitore trajnerit Orges Shehi shkarkimin nga presidenti Refik Halili dhe nga këtu është ndërprerë gjithçka, madje edhe seanca stërvitore është spostuar pasdite, ku ka qenë i pranishëm vetë presidenti Refik Halili, me trajnerin e ri të emëruar, Julian Ahmataj, një nga ish-sportistët bardheblu, i cili ka drejtuar këtë ekip edhe në vitin 2019 për tri ndeshje.
Në pritje të vendimit zyrtar për shkarkimin, Orges Shehi ka marrë nga avokati I klubit një dokument shkarkimi, i cili ka qenë pa firmë dhe vulë, por gjithsesi, instistimi i trajneri për të bërë zyrtrar vendimin e drejtuesve të klubit, e ka shtyrë atë t’i nisë shkarkimin.
Një kopje të këtij shkarkimi e ka siguruar ekskluzivisht edhe Gazeta Si, ku siç duket qartë i drejtohet nominalisht dhe në bazë të pikave të kontratë ish-trajnerit bardheblu, Orges Shehi.

Prapaskenat e vendimit!
Por çdo vendim në botën e biznesit, ku bën pjesë edhe futbolli tashmë, ka edhe një faturë nga pas, sidomos kur bëhet fjalë për prishje kontrate të njëanshme, siç ndodhi në këtë rast në momentin e pare. Në bazë të kontratës që ka firmosur Orges Shehi dhe Refik Halili në fillim të këtij edicioni, pas tentativave të shumta për ta mbajtur thuajse me “forcë”, trajnerin Shehi, i cili kishte disa oferta për t’u larguar, ka një detyrim financiar prej rreth 6.000 eurosh në muaj, nga fillimi i këtij edicioni në gusht deri më 30 maj të vitit 2024.
Nisur nga shuma që duhet të përfitojë trajneri, i cili është i papaguar që nga muaji korrik i këtij viti dhe pas llogarive të bëra nga presidenti, i është kërkuar që të bëjë një marrëveshje për t’u paguar deri në muajin nëntor, gjë që të cilën trajneri Shehi e ka refuzuar.
Pas dështimit të tentativave të marrëveshjes, ka hyrë në pune loja juridike me terma, duke e bërë këtë ngjarje të duket dhe absurde. Kështu në njoftimin e saj që ka nxjerrë klubi i Tiranës njofton pezullimin, pra jo shkarkimin e trajnerit, duke i mbajtur në fuqi kontratën. Ndërkohë, është emëruar trajneri i ri dhe nuk është komunikuar asgjë tjetër, përveçse marrëveshja trajnerit të larguar Shehi.
Një situate kaotike dhe nervoze, që tregon edhe një here mosmarrëveshjet që janë akumuluar prej kohësh mes presidentit dhe trajnerit, të cilët po qëndrojnë në “llogoret” e tyre, duke e bërë klubin më të titulluar në Shqipëri, edhe më kaotikun, për të mos thënë qesharakun, për largimin e një trajneri që në 3 vite, një herë e nxorri kampion, një herë e nxorri me pikë të barabarta me kampionin (vitin e shkuar). Si duket, këto nuk patën vlerë përballë dy humbjeve me Erzenin dhe Laçin në këtë vit, që i dhanë fund marrëdhënies!
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




