Politike

Humbjet në Arbitrazh, Berisha: Fatura, 600 mln euro, pagesa e detyrueshme për anëtarët

Kryetari i PD-së, Sali Berisha komentoi përmes një bashkëbisedimi me mediat deklaratën e kryeministri Edi Rama se mund të kërkojnë daljen nga Arbitrazhi pas vendimit të fundit pro Francesco Becchettit duke e detyruar Shqipërinë të paguajë në favor të tij 110 milion euro

“Arbitrazhi Ndërkombëtar është nën ombrellën e Bankës Botërore, rrjedhimisht të OKB-së.

Kjo pasi institucionet e Bretton Woods, BB, FMN dhe IFC, janë institucione të OKB-së.

Arbitrazhi i kësaj organizate është i detyrueshëm për të gjithë anëtarët, për të gjithë vendet anëtare të BB dhe OKB.

Edi Rama, për shkak të korrupsionit të tij të tmerrshëm, kërkon të ndëshkojë Shqipërinë, tani jo vetëm 110 milionë euro sa është gjoba, por në shumë e shumëfishin e saj, për të mos thënë 100fishin e saj.

Po në këtë arbitrazh dhe arbitrazhe të tjera, janë një seri procesesh të cilat shkojnë më së paku, 600 milionë euro...”, tha Berisha. Më tej ai shtoi:  

“300 milionë euro shkon vetëm arbitrazhi për licencën e naftës që iu hoq një kompanie për t’iu dhënë një kompanie ruse të Duçkës, Nezës dhe McGonigal.

Arbitrazhi i terminalit të Portit të Durrësit është në përfundim e sipër dhe shkon një ndëshkim shumë i madh financiar, pasi Edi Rama në mënyrën më korruptive ka përzënë për interesa strikt korruptive, kompaninë që kishte marrë konform të gjitha rregullave, kalatat e mallrave.

Shkon në shuma shumë të mëdha arbitrazhi po me Beketin po për Vjosën.

Edi Rama, në një vendim mirëfilltë korruptiv, ndërhyn në një problem mes dy kompanive private, i paftuar. Dhe ajo që nuk ndodh kurrë, përzë një kompani, përzë Beketin nga urrejtja që kishte.

Ndërkohë që kompania tjetër nuk kishte asnjë ankesë për Beketin, dhe kompania tjetër nuk ishte dosido, por ishte Deutsche Bank...”. Berisha foli edhe për rryshfete në këto procese.   

“Ajo që ndodh është se në disa nga këto arbitrazhe, bashkëshortja ka qenë Avokate e Shtetit, bashkëshorti ka qenë avokat i të paditurit. Kjo ndodh vetëm në Shqipëri dhe në asnjë vend tjetër.

Mos u habisni nëse këto gjoba janë ndarje parash mes paditësve dhe të paditurve.

Një gjë është e sigurt: nëse për Agon Channel u pagua 100 milionë, faturë e tmerrshme do vijë për Ora Neës. Konfiskohet televizioni me dokumente të falsifikuara, që nuk mund t’i marrë për bazë asnjë gjykatë.

Nuk do jetë më pak e kripur fatura që do vijë për resortin Prestige, eksplodimi i të cilës ushtoi në të gjithë Europën në kundërshtim me çdo rregull dhe ligj”, tha ai


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë