Kombetarja

Humbja me Francën, Mavraj dhe Reja në qendër të kritikave

Humbja me Francën ishte një gjë e pritshme, duke qenë se kampionët e botës edhe me rezervat sërish janë të frikshëm. Por disfata e mbrëmshme e Shqipërisë me “gjelat”, djeg më shumë për mënyrën se si erdhi. Gola të pësuar shumë lehtë, një mbrojtje thuajse amatore dhe një ekip që në fushë përballë kampionëve të botës nuk vraponte, por ecte. Kjo paraqitje shumë zhgënjyese e kuqezinjve ka përfunduar në qendër të kritikave të specialistëve dhe opinionstëve të futbollit shqiptar. Duke filluar nga Astrit Afizi, Rudi Vata, Shkëqlim Muça, Ervin Fakaj dhe të tjerë, ishin shumë të ashpër në qëndrimet e tyre.

Për ish-futbollistin e Kombëtares, Ervin Fakaj ndeshja e djeshme nuk ishte asgjëkund për Shqipërinë. Skema e gabuar, vendosje e lojtarëve jashtë pozicioneve të tyre dhe sidomos kalimi i Roshit nga sulmues, në mbrojtës krahu ishin gafa të Rejas që ndikuan shumë në rezultatin e kësaj ndeshje. Faji është i skemës që solli këtë humbje. Nëse trajneri të thotë të luash portieri, do luash. Por, puna është sa aftësi ke ta bësh. Ne po habiteshim pse Reja nuk po lëvizte kur Roshi kishte probleme, por Deshamp e kuptoi. Ai e çoi lojën ku kishim ne probleme. Ne lëvizim Hysajn dhe Roshin, por të njëjtën gjë bëri edhe kolegu i Rejas. Për këtë skemë, duhen cilësi dhe lojtarët e duhur, ne nuk i kemi. Roshi as nuk ka instinkte mbrojtëse. Kush luan mbrojtës, nuk e bën kurrë atë veprim, tek goli i dytë. Një mbrojtës nuk lëviz kurrë nga linja. Nuk e kuptoj si trajneri nuk e lexoi këtë gjë. Nuk ishte për atë gjë. Edhe lojtarin e demoralizon dhe ia ul vlerat.” – deklaroi Fakaj.

Elseid Hysaj në dyluftim me Kingsli Koman - Gazeta Si, 8 shtator 2019

Shumë më i ashpër ishte ish-mbrojtësi tjetër i ekipit kombëtar, Rudi Vata në analizën e tij pas ndeshjes. Për Vatën, trajneri Reja gaboi çdo gjë në këtë ndeshje. Por përtej trajnerit, ai kritikoi shumë edhe kapitenin Mërgim Mavraj, për të cilin tha se ka ardhur koha që të largohet nga ekipi, pasi nuk mund të japë dot më.

“Me gjithë respektin për Mavrajn, për gjithçka ka dhënë deri tani, por mendoj se ka ardhur koha të largohet. Nuk ka mundësi që ta ndihmojë më Kombëtaren. Por ne jemi në krizë të madhe. Jemi në krizë futbolli. Këtu flitet për ëndrra kuqezi tërë kohën, por edhe kjo nuk mund të zgjasë pa fund. Të gjithë kanë ëndrra dhe flenë me ëndrra, por ama zgjohen me plan. Ndërsa ne flemë më ëndrra dhe zgjohemi me ëndrra. Nuk ka kuptim, nuk jemi kurrkund. Duhet të shikojmë kontingjentin e lojtarëve dhe të analizojmë situata. Në ekipin Kombëtar të U-21 ka lojtarë cilësor. Djemtë e rinj duhen afruar. Mbas 1-2 vitesh do të jenë lojtarë të rëndësishëm të Kombëtares. Nëse do të vazhdojmë te teoria që do të marrim rezultatet, nuk do të kemi sukses.”

Sokol Cikalleshi në momentin e shënimit të golit për Shqipërinë nga penalltia - Gazeta Si, 8 shtator 2019

Ndërsa trajneri me eksperiencë Shkëlqim Muça e ka komentuar me ironi paraqitjen e kombëtares, duke mos kursyer asnjë nga lojtarët dhe trajneri Edi Reja. “Gafë e rëndë, si mund të luajë Roshi në një pozicion jonatyral…! Një lojtar që nuk ka fare reflekse mbrojtëse. Nuk është faji i tij, por i trajnerit”, deklaroi fillimisht ish-trajneri i Tiranës, Dinamos dhe Skënderbeut, pasi Shqipëria pësoi golin e parë. Kjo është ndeshja që lojtarët tanë kanë dalë huq më shumë se çdo herë tjetër… Deshamp e kuptoi më shpejt se Reja pozicionin e Roshit. I çoi prapë Komanin në krahun ku u spostua Roshi… Me sa duket, duhet të pësojmë edhe golin e pestë, që Reja të kuptojë se Roshi nuk duhet të qëndrojë më mbrojtës krahu…”

Në të njëjtën linjë si Muça ishte edhe ish-trajneri i Kombëtares, Astrit Hafizi. Sipas tij pika më domethënëse që i mugoi Shqipërisë në këtë ndeshje ishte shpirti garës.  “Ne nuk kishim as shpirt, asgjë në këtë ndeshje. Si mund të merret një pikë në një vend si Franca. Armenia me të vërtetë humbi 3-1, por tregoi një shpirt ndaj Italisë, shënoi e para. Kjo është ajo që mund të marrë një indicie nga një ekip që është në rritje. Ne nuk po bëjmë rritje, por jemi në ulje, gjithmonë e më shumë.”

Kejdi Bare në dyluftim me Antuan Grizman - Gazeta Si, 8 shtator 2019

Më tej duke u ndalur në analizimin e kësaj ndeshje, Hafizi gjen disa gabime të Rejas, si në vendosjen e lojtarëve, por edhe në pozicionin e tyre dhe ku si gjithë të tjerët i bashkohet idesë se Mavraj nuk ka çfarë të japë më në kombëtare. “E thashë në fillim se kam dyshim te Roshi dhe Hysaj. Nëse do luash në këtë mënyrë, duhen edhe lojtarët e tillë. 3 mbrojtësit e qendrës, djathtas dhe majtas, në veprimet mbrojtëse duhet të kenë një hapësirë për të bërë dublime. Po të kishim dublime, do ishim më të sigurt. Me këtë sistem, duhen lojtarë të perfeksionuar. Mavraj, është për momentin jashtë loje. Me këtë skemë që luan Franca, pse duhet të luash me 3 mbrojtës qendre? Një nga mbrojtësit duhet të hapet nga krahët, që ishin Lemar dhe Koman, dhe vjen një nga mesfusha më poshtë. Mua më duket sikur nuk është studiuar mirë Franca. Skema ndryshon edhe në varësi të kundërshtarit. Ne ishim përherë hapur, por më duket sikur nuk e kishim studiuar mirë.”

“Edhe gjatë ndeshjes, ndryshohet skema. Ne nuk luajmë mirë në sulm, por nuk luajmë as në mbrojtje. Asnjë repart nuk është pika jonë e fortë. Edhe mesfusha u çorganizua, sepse mbrojtësi i djathtë, Ismajli luante me topa të gjatë, dhe mesfusha ikën dëm. Një trajner që vjen nga Italia, më mirë t’i mësojë të luajnë futboll, se të luhet kështu. Edhe diçka që mund të kishim ndërtuar, më duket se po e prishim. Kur je trajner i një ekipi kombëtar, dhe ke kaq shumë diferenca me kundërshtarë të tillë, je në qendër të vëmendjes.”

Sakaq, përtej kritikave të forta që janë dhënë për lojtarë të veçantë, si Mavraj, Hysaj apo Roshi, ka pasur edhe përgëzime për dy debutuesit Kejdi Bare dhe Klaus Gjasula. Të dy këta bashkë me Ismailin mbajtën një nivel të kënaqshëm loje dhe mund të quhen “dy fitoret e vogla” të kombëtares në këtë natë për tu harruar në “Stade d’France”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë