Ka ndodhur

Humbi jetën gjatë shpërthimit në Sarandë, dyshohet për atentat me tritol ndaj 52-vjeçarit. Pritet akti-ekspertimi

Gazeta Si - Armandi Nelaj, 52-vjeç, banues në Sarandë, është personi që humbi jetën dy ditë më parë gjatë një shpërthimi në portin e qytetit.

Mësohet se Nelaj ishte pronar i një kompanie me makineri të rënda për gërmime si dhe transport inertesh.

Fillimisht u dyshua se ai humbi jetën pas shpërthimit të bombolës së oksigjenit teksa po zhytej në det, por nuk përjashtohet mundësia që t’i jetë bërë atentat me tritol. Nga grupi hetimor ka dyshime se eksplozivi mund të ishte vendosur në mjetin lundrues ku ai ndodhej.

Këto dyshime lindën pasi gjatë kontrollit në ujëra nga polumbarët, u gjetën copëza metalike që mendohet se i përkasin mjetit ku ishte Armandi Nelaj.

Në njoftimin e policisë, thuhet se 52-vjeçari ka humbur jetën si pasojë e një shpërthimi, ndërsa theksohet se pritet akti i ekspertimit.

Viktima i veshur si palombar, ishte zhytur 100 metër larg Portit Detar në momentin që dyshohet se i shpërtheu bombola e oksigjenit.

Nelaj i gjymtuar në pjesën më të madhe të trupit u nxor në breg nga dy turistë të rastësishëm, që kaluan me gomone aty pranë, ndërsa ndërroj jetë pak çaste më vonë.

Identifikimi i tij u bë i mundur pasditen e se martës kur vëllai i viktimës, e denoncoj atë në Komisariatin e Policisë Sarandë pasi nuk i përgjigjej në telefon. Pasi oficerët i kanë treguar foton e viktimës së gjymtuar, ai e ka njohur të vëllain nga tatuazhi në qafë.

Palombarët e Reneas gjatë kërkimeve në gjirin e Sarandës, kanë gjetur materiale të cilat hapin pistën e shpërthimit të një lëndë plasëse dhe janë dërguar për ekspertizë në Tiranë. Mësohet se 52-vjeçari prej 13 vitesh operonte si sipërmarrës ndërtimi në Sarandë.

“Në vijim të informacionit paraprak të dhënë më datë 24.06.2024, informojmë se Komisariati i Policisë Sarandë referoi materialet në Prokurori, pasi në afërsi të Portit Detar Sarandë, dyshohet se ka humbur jetën si pasojë e një shpërthimi, ndërkohë që notonte në det, pranë gomones së tij, shtetasi Armando Nelaj 52 vjeç, banues në Sarandë. Në vijim, pritet akti i ekspertimit për arsyen e shpërthimit. Ndërkohë, në drejtimin e Prokurorisë, vijon puna për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë ligjor të rrethanave të ngjarjes”, - thuhet në njoftimin e policisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë