Ka ndodhur

Humb jetën një i ri në Lezhë, dyshohet se u vetëplagos me armë zjarri

Gazeta Si – Një 35-vjeçar, i identifikuar si Amaros Deda, ka ndërruar jetë, pasi dyshohet se ka qëlluar veten me armë zjarri. 

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 15:15 në Shënkoll të Lezhës në rrethana të paqarta, ndërsa i riu ka ndërruar jetë në spitalin rajonal të qytetit.

Ngjarja fillimisht u raportua si një plagosje në rrethana të tjera, por pas verifikimeve të para të policisë, dyshohet se bëhet fjalë për një vetëvrasje të të riut.

Mësohet se viktima ka mbërritur në gjendje kritike në spital dhe për fat të keq nuk ka mundur të mbijetojë.

Gjithashtu është sekuestruar në cilësinë e provës materiale arma e zjarrit me të cilën dyshohet të jetë kryer vetëvrasja.

Në fakt, 35-vjeçari rezulton me precedentë penalë. Pak vite më parë mësohet se ai ka vuajtur dënim me burg për grabitje.

Ai ka qenë i dënuar për grabitje me dhunë ndaj një të moshuare në banesën e saj në Shënkoll. Ngjarja ka ndodhur në mars të vitit 2011, ku Deda së bashku me një person tjetër, të dy të maskuar, hynë në shtëpinë e 70-vjeçares dhe morën prej andej ende me vlerë.

Pas denoncimi të familjarëve të së moshuarës, policia arriti t’i arrestojë autorët. Policia gjendet në spitalin e Lezhës duke marrë në pyetje stafin mjekësor dhe familjarët me qëllim zbardhjen e rrethanave të vdekjes së tij.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë