Gazeta Si – Një ngjarje e rëndë ndodhi sot pasdite në Pallatin e Sportit ‘Asllan Rusi’ në Tiranë. Një 16-vjeçar ka ndërruar jetë për shkak të një ataku kardiak. Ai kishte shkuar për të parë një ndeshje të rinjsh dhe pas saj ka festuar me shokët në parket.
Adoleshenti është ndjerë keq dhe është rrëzuar në tokë, më pas është nisur drejt spitalit, ku është ndarë nga jeta.

“Sot më datë 24.02.2024, rreth orës 15:00, te pallati i sportit “Asllan Rusi”, një 16-vjeçar duke parë një ndeshje basketbolli, ka humbur ndjenjat dhe është rrëzuar në fushë dhe më pas ka ndërruar jetë në spital. Paraprakisht dyshohet se 16-vjeçari ka pësuar arrest kardiak”, – shkruhet në njoftimin e policisë.
Ngjarja e rëndë krijoi panik te të pranishmit në ‘Asllan Rusi’, që ishte mbushur nga tifozët, pasi aty do të luhej ndeshja Partizani-Vllazni në basketboll për meshkuj. Ndeshja filloi madje, pasi në një moment gjendja e 16-vjeçarit u përmirësua, por më pas loja u ndërpre nga policia, që dha dhe lajmin tragjik.
Të tronditur nga lajmi, lojtarët e dy skuadrave ranë dakord që ndeshja të zhvillohet një ditë tjetër.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




