Ka ndodhur

Humb jetën nga Covid 19 shkencëtari dhe akademiku Artan Boriçi

Profesori dhe fizikani i njohur i Universitetit të Tiranës, Artan Boriçi, ka humbur jetën si pasojë e koronavirusit.

Lajmi për ndarjen nga jeta të akademikut të asociuar, i cili ishte 56 vjeç, e ka bërë të ditur Akademia e Shkencave të Shqipërisë përmes një njoftimi në Facebook.

Boriçi ishte i vlerësuar në rrethin e kolegëve të Universitetit të Tiranës si një shkencëtar, i cili ia ka dalë të jetë pjesë e komunitetit shkencor ndërkombëtar me kontributin e tij të veçantë në shkencën e fizikës, duke hyrë në panteonin e elitës intelektuale.

Ai u bë anëtar i Akademisë së Shkencave në vitin 2020. Së bashku me institucione dhe personalitete të shquara të fizikës dhe matematikës botërore, 65-vjeçari ka marrë pjesë në organizimin e konferencave ndërkombëtare brenda dhe jashtë vendit.

Ai ka mbrojtur gradën doktor i shkencave matematike në ETH, Zyrih, Zvicër, në vitin 1996.

Titullin profesor e ka marrë në Universitetin e Tiranës, në vitin 2010.

Boriçi ka punuar në drejtimet kërkimore të fizikës teorike dhe llogaritëse dhe në fushën e financës llogaritëse në Institutin Paul Scherrer të Zvicrës; në shkollën e lartë politeknike federale të Zyrihut e në Universitetin e Ediburgut (1996-2003).

Boriçi punoi mbi 20 vjet si pedagog në Fakultetin e Shkencave të Natyrës.

Ka shërbyer si zëvendës-dekan i këtij fakulteti (2012) dhe si anëtar i këshillit shkencor.

Që prej vitit 2012, ai drejtonte grupin e fizikës llogaritëse dhe të energjive të larta në departamentin e fizikës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë