Politike

Humb gjyqin në Londër dhe mbetet ‘Non Grata’ nga Britania e Madhe, Berisha: Vendim turpi

Sali Berisha do të vijojë të ketë të ndaluar hyrjen në Britaninë e Madhe.

Ish-kryeministri humbi të hënën apelin e tij në “Komisionin Special të Apeleve të Emigracionit” në Londër kundër vendimit të Ministrisë e Punëve të Brendshme, “Home Office” që e ndalonte të hynte në Britani për lidhjet e tij të dyshuara kriminale

Ai u shpall non grata në korrik 2022 për lidhjet e tij të dyshuara me krimin e organizuar dhe korrupsionin, të cilin Berisha e mohon.

Ndërkohë, Gjykata ka vlerësuar se rekomandimi për të përjashtuar Berishën është arritur si "produkt i një vlerësimi holistik të provave në dispozicion".

Berisha reagoi përmes një deklarate të gjatë për mediat.

“Vendimi i SIAC shton një kat në monumentin e korrupsionit dhe turpit të vendimit për përjashtimin e Sali Berishes

Në gusht të vitit 2022, unë fillova procedurën e kundërshtimit të vendimit të State Secretary of Home Department (Home Office) të BM për përjashtimin tim nga ky vend, që m’u komunikua në datë 21 Korrik 2022, fillimisht nga Edi Rama në parlament dhe pastaj nga qeveria britanike.

Procesi në SIAC është vonuar përtej çfarëdolloj afati te arsyeshëm për të penguar zbulimin e të vërtetës.

Ky proces përfundoi sot, pas dy vitesh, me lënien në fuqi të vendimit të Home Office nga Komisioni i Apelimit, duke dëshmuar kështu dështimin e plotë të këtij komisioni në goditjen e korrupsionit në segmente të administratës së Britanisë së Madhe.

Në paragrafin 17 të vendimit të tij Komisioni (SIAC) pohon se nuk kane vlerësuar as vërtetësine e provave dhe as atë të akuzave të ngritura ndaj meje, por vetëm nëse Sekretarja e Home Office ka pasur bazë që, në bazë të provave që i janë vënë përpara, të besonte se vendimi i përjashtimit ishte i drejtë. Kjo provon qartë se, jo vetëm SIAC nuk ka hetuar zbulimin e të vërtetës siç pohon vetë, por edhe se vendimi i Sekretares është marrë në bazë të artikujve të mediave të sponsorizuar nga Soros dhe deklaratave të kundërshtarëve të mi politikë Rama, Basha, Veliaj”, thotë ndër të tjera Berisha.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë