Kriza e Covid-19 shkaktoi nivele të larta ankthi dhe depresioni midis mjekëve. Hulumtimi i 5,000 përgjigjeve të një sondazhi të kryer në vendet e Bashkimit Europian ka zbuluar se mjekët italianë kishin më shumë gjasa të kishin vuajtur gjatë krizës vitin e kaluar. Studimi, i botuar në revistën “PLOS ONE”, mati mirëqenien mendore të mjekëve gjatë qershorit, nëntorit dhe dhjetorit 2020. Ai zbuloi se rreth një në katër mjekë në Itali kishte përjetuar simptoma ankthi në qershor dhe dhjetor 2020 ndërsa një në pesë raportuan simptoma të depresionit gjatë së njëjtës periudhë. Në Katalonjë rreth 16 për qind e mjekëve raportuan ankth dhe rreth 17 për qind përjetuan depresion.
Studimi është ndër analizat e para të thelluara të mirëqenies mendore midis punonjësve të kujdesit shëndetësor gjatë pandemisë Covid-19 dhe i pari që fokusohet te mjekët. Në të gjitha vendet, mjeket femra kishin më shumë gjasa të kishin ankth ose depresion. Në Itali kishte një shans 60 për qind më të lartë që mjeket femra të raportonin simptoma ankthi, krahasuar me 54 për qind në Mbretërinë e Bashkuar. Mjekët nën 60 vjeç kishin më shumë gjasa të përjetonin ankth dhe depresion në secilin prej tre vendeve dhe gjithashtu u gjet një lidhje midis perceptimeve të sigurisë në vendin e punës dhe shëndetit mendor.
Klinikët nga të tre vendet që ndiheshin të prekshëm ose të ekspozuar në vendin e tyre të punës ndaj virusit, të gjithë kishin mundësi më të mëdha për t’u prekur nga ankthi dhe shëndeti i dobët mendor. Mjekët që kishin punuar 40 orë ose më shumë javën e kaluar kishin gjithashtu shanse më të larta për të shfaqur simptoma.
Quintana-Domeque, profesor i ekonomisë në Shkollën e Biznesit të Universitetit të Exeter, i cili kreu studimin tha se pandemia e Covid-19 është klasifikuar si një ngjarje traumatike, me punonjësit e kujdesit shëndetësor që ndoshta kanë ekspozimin më të drejtpërdrejtë dhe më të gjatë ndaj kësaj sëmundje.
“Studimi ynë identifikoi një prevalencë të lartë të simptomave të ankthit dhe depresionit midis mjekëve në valën e parë dhe të dytë të pandemisë dhe modelet e ngjashme në të gjithë vendet tregojnë që gjetjet tona mund të jenë të zbatueshme për mjedise të tjera evropiane,”shtoi Domeque.
Më tej ai tha se rezultatet e këtij studimi tregojnë se mbështetja institucionale për punonjësit e kujdesit shëndetësor dhe në veçanti mjekët, është e rëndësishme në mbrojtjen dhe promovimin e shëndetit të tyre mendor në pandemitë aktuale dhe në të ardhmen.
Burimi:The Independent/Përshtati:Gazeta “Si”
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje