Para

Huatë e këqija trend rënës, BSH nuk deklaron borxhlinjtë e mëdhenj

Kreditë e këqija shfaqin trend rënës për të tretin muaj radhazi, por kreditimi ende nuk çlirohet.

Sipas Bankës së Shqipërisë në muajin korrik kreditë me probleme kanë zbritur në 11.19% (niveli më i ulët i këtij viti).

Banka e Shqipërisë thotë se arsyet e rënies së nivelit të kredive të këqija janë shlyerja e tyre pas ristrukturimit, zgjatja e afatit dhe ulja e pagesave mujore dhe fshirja e një pjese të kredisë në këmbim të pagesës së pjesës tjetër.

Vetëm pak muaj më parë, Banka e Shqipërisë miratoi një plan shpëtimi të quajtur “Qasja e Tiranës”, për bizneset të cilët nuk kanë mbërritur të shlyejnë në kohë kreditë e marra në bankat e nivelit të dytë me vlerë mbi 8 milionë euro. Plani i shpëtimit do të nisë të aplikohet në muajin shtator për 9 korporata të cilat janë pjesë e grupit të të 35 kompanive që ishin problematike në kthimin e huave.

Banka e Shqipërisë e pyetur nga Gazeta “Si” për emrat e bizneseve problematikë në kthimin e huave pasi publiku duhet të jetë në dijeni për shëndetin e bizneseve ku shpenzojnë të ardhurat e tyre, përgjigjet se nuk mund të japë informacion për këtë çështje.

Disa banka ku ky grup biznesesh të cilët iu detyrohen rreth 8 milionë euro, do të kenë mundësi të rinisin aktivitetin pasi vetë bankat do ti ndihmojnë për të dalë nga falimentimi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë