Biznes

Huaja e bizneseve, më shumë se gjysma e kapitalit

Mes shtrëngimit të kreditimit, pafuqisë për të marrë një kredi për investim,  80 % e bizneseve rezultojnë  me një vlerë totale të huasë afërsisht sa gjysma e vlerës së kapitalit të ndërmarrjes .

Vetë bizneset e cilësojnë  huamarrjen nga bankat si proces shumë të vështirë, por të domosdoshëm.

Vëzhgimi nga Banka e Shqipërisë është bërë në një kampion prej 1200 ndërmarrjesh të të gjitha përmasave, të shtrira gjeografikisht në të gjithë vendin dhe që kryejnë aktivitetin e tyre në sektorët kryesorë të ekonomisë.

Të analizuara sipas madhësisë, rezulton që barra e borxhit është më e lartë tek ndërmarrjet e mëdha, ku rreth 22.4% e tyre deklarojnë se vlera e huasë është e barabartë ose më e madhe se vlera e kapitalit. Banka Qëndrore duke i analizuar rezultatet e përgjigjeve sipas sektorëve, tregon se sektori i industrisë ka peshën më të lartë të ndërmarrjeve që kanë një ngarkesë huaje mbi vlerën e kapitalit të ndërmarrjes.  Pjesa më e madhe e ndërmarrjeve huamarrëse (75.3%) deklarojnë se pagesa e huasë arrin deri në 20% të të ardhurave të tyre. Por barra e pagesës së huasë rëndon me siguri më shumë tek ndërmarrjet e vogla, ku numri i ndërmarrjeve që raportojnë se kjo pagesë i kalon 20% të të ardhurave, zë rreth 30.3% të totalit të grupit.  Për ndërmarrjet e mesme, kjo peshë është 23.1%, ndërsa për ato të mëdha 23.7%.

Në këtë situatë, bizneset pavarësisht nevojës për investim, i tremben një huaje të re, prandaj nga vrojtimi ka rezultuar se parashikimet që bizneset të marrin një kredi të re janë shumë të ulta.

Sipas vrojtimit, më shumë se gjysma e totalit të ndërmarrjeve që i janë përgjigjur pyetësorit (50.3%) kanë deklaruar se nuk ka asnjë mundësi që të kërkojnë një kredi bankare në gjashtëmujorin e ardhshëm. Indeksi i vlerësimit të planifikimit të huamarrjes për gjashtëmujorin e ardhshëm, ka shënuar vlerën më të ulët 0.39 (ndërmarrjet e vogla) dhe më të lartë 0.41 (ndërmarrjet e mëdha), për përhuamarrje gjatë gjysmës së dytë të vitit 2018 për këto ndërmarrje.

Më shumë se gjysma e bizneseve kanë thënë se e kanë financuar veprimtarinë e tyre përmes shitjeve. Huamarrja, si burim finnancimi më vete apo i kombinuar, është përdorur nga 21.1% e ndërmarrjeve të mëdha, 20.5% e ndërmarrjeve të mesme dhe 11.1% e ndërmarrjeve të vogla.Rreth 42.5% e totalit të ndërmarrjeve (473 ndërmarrje gjithsej) kanë deklaruar që kanë një hua për të paguar. Sipas Bankës së Shqipërisë, kjo peshë ka mbetur thuajse e pandryshuar krahasuar me rezultatet e vrojtimit për gjashtëmujorin e dytë 2017 për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, ndërkohë që ka shënuar një rënie të lehtë për ndërmarrjet e mëdha.

Rreth 88.2% e totalit të ndërmarrjeve huamarrëse deklarojnë se u janë drejtuar bankave për të siguruar hua.

Huamarrja e ndërmarrjeve kryhet vetëm në monedhën vendase për 44.4% të totalit të ndërmarrjeve të vogla huamarrëse, 51.2% të ndërmarrjeve të mesme dhe 40.3% të ndërmarrjeve të mëdha. Huamarrja në monedhën evropiane ka një peshë më të madhe për ndërmarrjet e mëdha, përkatësisht për 44.9% të tyre, duke tejkaluar atë të monedhës vendase. Kjo huamarrje zë 41.3% për ndërmarrjet e vogla, ndërsa për ndërmarrjet e mesme zë 36%.

Huamarrja e re, gjatë gjashtëmujorit të parë të 2018-ës, deklarohet nga 7.6% e ndërmarrjeve të vogla, 8.7% e ndërmarrjeve të mesme dhe 11.2% e ndërmarrjeve të mëdha.

Rreth 42.5% e bizneseve të anketuara, pohojnë se kanë një hua për të paguar. Kjo vlerë, është pothuaj e njëjtë me atë të periudhës së kaluar. Pesha e bizneseve huamarrëse është më e lartë në sektorin e tregtisë (57.8%) dhe në sektorin e ndërtimit (48.5%).


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë