Kosova

Hovenier: Serbia ka përgjegjësi t’i hetojë, arrestojë dhe ekstradojë të dyshuarit për sulmin e Banjskës

Nga Gazeta ‘Si’-Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier ka folur për sulmin në Banjskë, duke theksuar se autorët e sulmit duhet të japin përgjegjësi të plotë në përputhje me sundimin e ligjit.

“Qeveria amerikane po përfundon vlerësimin e saj të përgjegjësisë. Ende nuk e kemi përfunduar. Por do të përsëris atë që kemi thënë më parë, ata që janë përgjegjës për këtë vepër kriminale, për vrasjen e një polici, për kërcënim të sigurisë dhe stabilitetit të Kosovës duhet të mbajnë përgjegjësi. Dhe do të punojmë me partnerët tanë kosovarë dhe të tjerët për të siguruar që kjo të ndodhë”, tha ambasadori Hovenier.

I pyetur se a duhet të ekstradohet Millan Radoiçiç në Kosovë, Hovenier citoi atë që kolegu i tij Robert Wood kishte thënë në Këshillin e Sigurimit gjatë takimit të fundit të Këshillit të Sigurimit për këtë.

“Ky është qëndrimi i Qeverisë së SHBA-së, nuk ka ndryshuar: Autorët e sulmit duhet të japin përgjegjësi të plotë në përputhje me sundimin e ligjit. Kjo përfshin përgjegjësinë e Serbisë për të hetuar, arrestuar, ekstraduar apo ndjekur penalisht çfarëdo të dyshuari që mund të ketë ikur në Serbi. Ky mbetet qëndrimi i qeverisë sime”, tha ai.

Hovenieri gjithashtu ka deklaruar se Shtetet e Bashkuara të Amerikës plotësisht e mbështesin propozimin evropian për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, që iu prezantua kryeministrit Albin Kurti nga pesëshja diplomatike, më 21 tetor.

Sipas Hovenierit, SHBA-ja është në të njëjtën linjë me Francën, Gjermaninë, dhe Italinë për draft-statutin e Asociacionit.

“Në deklaratën e fundit të presidentit të Francës, kancelarit të Gjermanisë dhe kryeministrit të Italisë, ata përshkruan draft-statutin – që ata e dinë se e miratojnë plotësisht dhe do të shtoj, Shtetet e Bashkuara e mbështesin plotësisht – si një “mënyrë bashkëkohore evropiane për të trajtuar çështjen e ndjeshme të mbrojtjes së pakicave në përputhje me praktikat dhe standardet më të mira evropiane brenda parametrave të përcaktuar nga palët. Ne pajtohemi me këtë”, deklaroi ai në Kanal 10.

Më tej ai shtoi se Asociacioni “është një përkushtim, obligim i Kosovës” por se gjithashtu SHBA-ja e kupton dhe pranon se “ai Asociacion i komunave me shumicë serbe duhet të kufizohet në mënyra të caktuara”, tha ambasadori.

Hovenieri theksoi se Asociacioni duhet themeluar përkrah parimeve të Kushtetutës së Kosovës dhe të jetë në përputhje me editorialin dhe qëndrimin që SHBA-ja e shprehu përmes Derek Chollet dhe Gabriel Escobar.

Sipas tij, brenda draftit ka modalitete që ia lejojnë Gjykatës Kushtetuese ta miratojë atë.

“Pika e fundit: a është në përputhje me Kushtetutën? Ne besojmë se po, besojmë se është në përputhje të fortë. Por, do të theksoj gjithashtu se edhe ne e pranojmë dhe një nga elementët e saj është organi përfundimtar për të përcaktuar kushtetutshmërinë e çdo gjëje në Kosovë është vetë Gjykata Kushtetuese e Kosovës. Dhe draft-statuti ka modalitete në të për të siguruar që Gjykata Kushtetuese të jetë në gjendje ta miratojë edhe atë vendim”.

Hovenieri komentoi edhe zërat se ky Asociacion nënkupton një Republikë të dytë Serbe.

“Unë e kam thënë zyrtarisht shumë herë se çka nuk duam është një entitet tjetër i ngjashëm me Republikën Srpska në Kosovë. Ne besojmë se ky draft-statut e shmang një gjë të tillë”, deklaroi ai.

Teksa komentoi qëndrimet e kryeministrit Kurti dhe presidentit Vuçiç pas takimit të fundit në Bruksel, tha se nënshkrimi i marrëveshjes nuk është dhe aq i rëndësishëm sa është përmbushja e obligimeve.

Ndonëse tha se e vlerësojnë gatishmërinë e Kurtit për nënshkrim, Hovenier shtoi se shumë marrëveshje të tjera nëpër botë janë ligjërisht të obligueshme edhe pa qenë të nënshkruara.

Ai theksoi se BE-ja dhe SHBA-ja e shohin Marrëveshjen Bazë ligjërisht të obligueshme.

“Nga këndvështrimi ynë, ndërsa ne e pranojmë interesin e Kryeministrit Kurti për të pasur një nënshkrim, mendojmë se është shumë më pak e rëndësishme sesa rëndësia aktuale që të ecim përpara me zbatimin e plotë dhe të plotë të të gjitha detyrimeve të marrëveshjes nga të dyja palët. Mund t’ju jap lista të marrëveshjeve të tjera që nuk janë nënshkruar domosdoshmërisht, por që janë ligjërisht të detyrueshme, përfshirë në procesin e dialogut. Dhe unë do të ritheksoj se Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian besojnë se Marrëveshja bazë dhe aneksi zbatues janë ligjërisht të detyrueshme”, deklaroi ambasadori.

Ai foli edhe për mosgatishmërinë e presidentit serb për ta njohur Kosovën.

“Mund të them se në këtë çast, ne i besojmë Presidentit të Serbisë kur thotë se nuk është i përgatitur ta bëjë këtë”, deklaroi ai.

Kryeministri Albin Kurti, pas takimit të 26 tetorit në Bruksel, ka thënë se Serbia refuzoi ta nënshkruajë Marrëveshjen Bazë. Ai shtoi se Kosova, në anën tjetër, ishte e gatshme ta nënshkruajë Marrëveshjen, Aneksin, si dhe draft-statutin për Asociacionin, që iu prezantua Qeverisë me 21 tetor.

Sipas Kurtit, “pranimi do të thotë nënshkrim, dhe nënshkrimi garanton pranimin dhe zbatimin.”


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë