Nga Gazeta ‘Si’ – Ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeff Hovenier, tha se pret nga Qeveria e Kosovës e udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti, të punojë në partneritet me Uashingtonin, në mënyrë që në Kosovë të ketë përparime.
Gjatë një konference të organizuar nga Këshilli i Ambasadorëve të Kosovës për 25-vjetorin e ndërhyrjes ushtarake të NATO-s, që i dha fund luftës së fundit, Hovenier përsëriti qëndrimin amerikan se rruga e vetme e Kosovës drejt integrimeve euroatlantike është dialogu për normalizimin e raporteve me Serbinë, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.
“Nuk ka rrugë tjetër dhe posaçërisht zbatimi në mirëbesim dhe i plotë i të gjitha zotimeve që janë bërë nga Kosova në dialog, kjo nuk është e negociueshme. Nga kjo Qeveri e Kosovës, ashtu sikurse edhe nga qeveritë paraprake, presim që të punojë në partneritet me ne, derisa vazhdojnë përpjekjet tona për të ndërtuar një Kosovë prosperuese, multientike dhe të sigurt në rajonin e Ballkanit Perëndimor”, tha Hovenier.
Raportet mes Kosovës dhe SHBA-së janë tendosur së fundi për shkak të vendimit të autoriteteve të Kosovës për të ndaluar përdorimin e dinarit serb. Zyrtarët amerikanë kanë kërkuar që Kosova të shtyjë zbatimin e vendimit, duke thënë se kjo çështje ka paraqitur sfida në raportet dypalëshe.
Ndërkaq, duke kujtuar ndërhyrjen para një çerek shekulli të NATO-s në Kosovë, për t’i dhënë fund, siç tha ai, “spastrimit etnik” në Kosovë nga “makineria e udhëheqësit të atëhershëm serb, Sllobodan Millosheviçit”, Hovenier tha se shteti i tij është i përkushtuar që ngjarje të tilla të mos përsëriten.
“Dua të riafirmoj përkushtimin tonë drejt sigurimit që ngjarjet e tmerrshme që kanë ndodhur para 25 vjetësh në Kosovë të mos ndodhin më kurrë. Mbesim të përkushtuar që të mbështesim rolin stabilizues që luhet nga forca e NATO-s, KFOR”, tha Hovenier, duke theksuar se ndërhyrja e NATO-s ishte edhe e domosdoshme, edhe legjitime “duke marrë parasysh krizën humanitare që bota po shihte në kohë reale”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




